Presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas një takimi me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan në Turqi, për mediat serbe ka shtruar pyetjen se përse Kosova, Kroacia dhe Shqipëria formojnë aleancë ushtarake duke shtuar se Serbia nuk do të sulmojë askend, por do të përforcojë kapacitetet ushtarake.
“Çdo aleancë ushtarake, për dikend paraqet kërcënim dhe është e drejtuar kundër dikujt. Unë ju pyes –çfarë ju duhet aleanca ushtarake kur dy shtetet Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s? Duhej ta inkuadronin edhe Prishtinën që të gjithëve t`ua bëni të qartë se këtë e krijoni kundër Serbisë”
Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, gjatë ekspozesë së tij para deputetëve, premtoi edhe një investim prej 1 miliard eurosh në sektorin e mbrojtjes.
“Në katër vjetët e ardhshëm do t’i forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishopjmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë Made in Kosova”,
Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan para gati një viti një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
Serbia e pa këtë si hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj.
