Site icon Tetova Expres

Ora letrare “Kosovë m’a gëzofsh Pavarësinë” tuboi bashkë krijuesit tetovar dhe vitias në 18 vjetorin e Pavarësisë

Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum nga Tetova dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Ramadan Musliu”nga  Vitia në një bashkëpunim kulturor në kuadër të aktiviteteve festive për nder të 18 vjetorit ta Pavarësisë  mbajtën një orë letrare “Kosovë m’a gëzofsh Pavarësinë”. Fillimisht krijuesit tetovar u pritën nga Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili prezantoi punën dhe aktivitetet e Komunës, sidomos ato në rafshin kulturor dhe ndau mirënjohje për përfaqësuesit e shoqatës nga Tetova, duke vlerësuar lartë angazhimin e tyre në promovimin e kulturës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar.

Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” nga Tetova, Sadije Aliti, prezantoi punën dhe veprimtaritë kulturore që kjo shoqatë i realizon në Tetovë e më gjërë në hapësirën shqiptare, faleminderoi për mikpritjen dhe nderoi me mirënjohje Kryetarin i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti,për kontributin e çmueshëm në përkrahje të artit letrar dhe veprimtarive kulturore shqiptare. Me mirënjohje u nderua edhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Ramadan Musliu” në Viti, Fadil Abazi. Gjatë bashkëbisedimit u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit në projekte të përbashkëta kulturore dhe letrare në të ardhmen.

Manifestimi letrar vazhdoi në Sallën e Kuvendit Komunal, në shtëpinë e kulturës, me realizimin e orës poetike “Kosovë m’a gëzofsh Pavarësinë”. Në fillim fjalë përshëndetëse për rëndësinë e kësaj date, për Pavarësinë e Kosovës, paraqitën Sadije Aliti, Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” nga Tetova, Fadil Abazi-kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Ramadan Musliu” në Viti. Nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për këtë bashkëpunim kulturor fjalë miradije shprehu edhe përgjegjësi Valmir Sahiti, ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Arsim, Arta Ajeti e vlerësoi lartë bashkëpunimin mes krijuesve të rinj nga Tetova dhe nga Vitia.

Në orën letrare poezitë e tyre i lexuan krijuesit tetovar dhe vitias, përfaqësues nga Departamenti i të rinjve i Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” dhe nxënës nga Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës” në Viti, poezi me tematikë dhe frymëzim për nder të kësaj feste, manifestimi u karakterizua nga një frymë solemne dhe një përkushtim i lartë artistik.

Në bibliotekën e qytetit “Ramadan Musliu”, poetët tetovarë dhuruan librat e tyre ku u pritën nga drejtoresha Sadije Dauti, dhe u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes dy shoqatave.

Advertisement

Në kuadër të njohjes së të rinjve të shkollave e qyteteve tona me trashëgiminë kulturore u vizitua Muzeu i Shkollës së parë Shqipe në fshatin Stubëll, ku u mirëpritën nga dr.Sarë Gjergji, i cili prezantoi historikun e këtij institucioni.

Ky bashkëpunim kulturor pati për qëllim kultivimin e vlerave kulturore, kreativitetin krijues ndërmjet të rinjve, bashkëpunimin mes shkollarëve të mesëm, grupeve letrare dhe Shoqatave të shkrimtarëve, bashkëpunim kulturor për afirmimin dhe njohjen e shkrimtarëve dhe krijuesve të rinj dhe me trashëgiminë kulturore me vizita të ndërsjella.

Exit mobile version