Dilema nëse gratë duhet që në mënyrë të pavarur të vendosin se si do të lindin – në mënyrë natyrale apo me ndërhyrje cesariane, është bërë një ndër çështjet më të ndjeshme në shoqërinë bashkëkohore. Edhe pse e drejta personale mbi trupin është çështje thelbësore e autonomisë, mjekësia paralajmëron se lindjet nuk janë vetëm akt personal, por një proces i ndërlikuar biologjik që sjell rreziqe potenciale.
Në Maqedoninë e Veriut, shkalla e lindjeve me ndërhyrje cesariane, sipas gjinekologëve, është rreth 43%, shumë lartë mbi mesataren evropiane. Derisa vendet evropiane kanë vendosur rregulla se kur dhe pse duhet të bëhet prerja cezariane, në vendin tonë thuajse çdo e dyta lindje përfundon me operacion, që e shndërron këtë intervenim nga domosdoshmëria mjekësore në një praktikë të përgjithshme.
Mjekët thonë se ky trend është rezultat i frikës nga dhimbjet, informimi jo i mjaftueshëm, por edhe ves kulturologjik tek një pjesë e grave shtatzëna dhe mjekëve për të zgjedhur rrugën më të sigurtë dhe më të parashikueshme.
MERALE REXHEPI – GJINEKOLOGE
“Shkaqet kryesore për lindjet me prerje cezariane janë, e para që mund të them, është mosha e shtyrë e nënës për lindjen e parë, kuptohet se karriera, shkollimi, punësimi, shumë të zëna, prandaj dhe e anulon lindjen e parë kështu që cdo lindje që bëhet pas moshës 35 vjecare llogaritet si lindje e rrezikuar, shtatëzani e rrezikuar, në ato raste shkohet me prerje cezariane, e tash në qoftë se një paciente njëherë lind me prerje cezariane gjasat janë shumë të mëdha që edhe lindjet e tjera do të shkojnë me prerje cezariane”
Në këtë drejtim vazhdimisht zhvillohen debate se ku duhet të vendoset kufiri. Në aspektin mjekësor, ndërhyrja cesariane rekomandohet në raste kur lindja natyrale paraqet rrezik për nënën apo foshnjën.
Por, mjekët thonë se vendimi se si të bëhet lindja duhet të bazohet në besim të ndërsjelltë, dialog, arsimimin e grave shtatzëna dhe informimit.
MERALE REXHEPI – GJINEKOLOGE
“Pacientet duhet të jenë shumë stabile dhe shumë të përgatitura se çfarë i pret gjatë lindjes, kjo duhet të punohet vecanërisht me mjekët amë se ata e udhëheqin shtatëzaninë dhe t`u tregohet se lindja është një akt që nuk është I lehtë por duhet t`u sqarohet se do të ndodh në praninë e profesionistëve qoftë mjekëve, qoftë mamitë, me një personel të gjërë ku na bashkangjiten dhe anestesteziologët dhe pediatri dhe duhet të pranohet si gjë normale dhe si gjë më e bukur që mund t`i ndodh një femre ku do ta sjell trashëgiminë e vet dhe ajo të trajtohet si dicka e pritur se shkon me disa vështirësi dhe është kaluese dhe kryesore është që fundi të jetë I mire”
Psikologët thonë se faktorët psikologjik ndonjëherë janë shumë më determinues se sa faktorët fizik. Frika e prindërimit, frika e lindjes e ngadalëson këtë proces.
FATIME ZIBERI – PSIKOLOGE
Faktori psikologjik këtu din ta ndërlikoj shumë herë punën për shkak se është punë hormonale dhe është një disbalans total hormonal dhe mos kontrolli psikologjik që mund të shkaktojë më tepër dëm sesa dobi prandaj dhe ne sugjerojmë që gjithmonë të jeni të qeta. Aspekti psikologjik është shumë I rëndësishem në atë kuptim që mos të vijë deri te rritja e stresit, ankthit, dhe panikut dhe të menduarit e tepërt rreth asaj se si do të jetë lindja, cka do të ndodh, si do të ndodh dhe ndaj ndryshimeve fizike që ua kanë frikën për shkak se të jemi të hapur dhe të sinqertë askush nuk ka aq tolerancë të madhe ndaj dhimbjeve.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prerja cezariane është një ndër ndërhyrjet kirurgjikale më të shpeshta në botë, me një rritje të vazhdueshme globale – nga 6% e lindjeve në vitin 1990, në 21% në vitin 2018, ndërsa deri në vitin 2030 pritet të arrijë në rreth 30%. TV KOHA
