Edhe kjo e shtunë e gjeti Stacionin e Autobusëve në Tetovë, me pamjet e njëjta. Njerëz që udhëtonin, valixhe, autobusë që merrnin udhëtarët, përqafime ndarjesh dhe dëshira për kthim sa më të shpejtë.
Destinacionet e autobusëve tashmë dihen. Gjermania, Italia, Zvicra janë bërë destinacione tepër të preferuara për qytetarët e rajonit të Pollogut.
Në jëtë stacion dëgjon histori nga më të ndryshmet. Dikush blen biletën për një drejtim, dikush kthyese, tjetri shkon të punojë apo për vizitë, kurse të tjerët kthehen pas pushimeve.
“Udhëtoj për në Hamburg – Gjermani. Shkoj të punoj ta nxjerrim një kafshatë buk. Jam nga Sallareva, fëmijtë I kemi atje por ne pleqtë më shpesh vijmë në vendlindje”
“Edhe unë udhëtoj në Hamburg. Jam pensionist, familjen e kam atje, kam ardhë për nja dy muaj në pushim me bashkëshorten”
-A do të ktheheni përgjithmonë në vendlindje?
“Une po, por fëmijtë nuk besoj! Fëmijtë I kanë fëmijtë atje, ata vijnë për pushime 1 muaj kur janë pushimet, por fëmijtë e tyre s`besoj, janë asimiluar”
-Cila është arsyeja?
“Unë kur kam dalë në Gjermani kam qenë 17 vjeç. Tash I kam 72, ku është arsyeja? Përse kam dalë unë atje? Jo se s`ka perspektivë, por këtu s`ka besë, fjala e dhënë mungon këtu”
“Udhëtoj në Folinjo të Italisë, atje jetoj dhe mësoj. Kam lindur në Folinjo kurse vij nga Makedonski Brodi”
-Mendoni të ktheheni në Maqedoni?
“Gjithcka është e mundshme, varet!”
“Jam nga Pallatica, shkoj në Itali për të punuar. Në Itali më duket më mirë për të punuar se atje e kam edhe familjen. Besoj se një ditë do të kthehem në Maqedoni”.
Kjo e shtunë e gjeti Stacionin e Autobusëve në Tetovë pa një rrëmujë të madhe. Mbase për shkak se jemi në prag të muajit të bekuar të Ramazanit dhe njerëzit duan që këtë Ramazan ta kalojnë pranë familjes.
Shpresojmë që rrëmuja të bëhet në prag të Fitër-Bajramit kur shumë mërgimtarë pritet të kthehen në vendlindje. Ardhje të cilës I gëzohen, jo vec familjarët e tyre, por edhe bizneset për shkak të impaktit ekonomik që sjellin mërgimtarët. TV KOHA
