Dëmë të mëdha dhe humbje jetësh njerëzore janë shënuar si pasojë e stuhive të forta dhe të njëpasnjëshme në europën perëndimore. Rajoni i Gadishullit Iberik është ndër më të goditurit.
Në Portugali, të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhiave dhe përmbytjeve, ndërsa një çift i moshuar rezulton i zhdukur.
Në Spanjë, një grua gjithashtu humbi jetën nga rrëzimi i një një çatie në Barcelona. Ka probleme të mëdha me përmbytjet në Madrid dhe Extremadura, ku shkollat vijojnë të jenë të mbyllura.
Në Francë, stuhia Nils shkaktoi vdekjen e dy personave, ndërsa autoritetet lëshuan paralajmërime për përmbytje, sidomos në Bretanjë dhe bregdetet perëndimore.
Në Itali, cikloni Harry shkaktoi dëme të mëdha në Kalabri, Sicili dhe Sardini, ku u shpall gjendja e emergjencës, pa raportime për viktima. Sipas ekspertëve, kjo valë e njëpasnjëshme stuhish shpjegohet nga mungesa e anticiklonit të Azoreve në vendin e zakonshëm, që lejon sistemet e ulëta atmosferike të lëvizin lirshëm drejt bregdetit perëndimor të Evropës.
