Pas reshjeve që përfshinë vendin, situatë më kritike paraqitet në Forinë – ka njoftuar në mëngjes Qendra për Menaxhim me Kriza.
Janë përmbytur sipërfaqe bujqësore në fshatrat Çajlë, Turçan, Vrapçisht dhe Bellovishtë.
Në pjesën jugperëndimore, në Kërçovë, është regjistruar përmbytje e madhe e shtëpive në rrugën e Prilepit, ku sipas njoftimeve, janë evakuar 220 persona që janë akomoduar në sallë sportive. Janë përmbytur edhe objekte në spitalin e Kërçovës, kurse ekipe të Kryqit të Kuq kanë dorëzuar ushqim dhe ujë për personat e rrezikuar, kurse në terren aktivisht punojnë ekipe nga policia, ndërmarrja publike dhe shërbimet e zjarrfikësve.
Në Rajonin e Pollogut, në Gostivar, ekipe të zjarrfikësve kanë intervenuar gjatë gjithë natës, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve.
Sipas QMK-së në rajonin verilindor, në Komunën e Likovës, në npjesë të fshatit Opajë janë përmbytur sipërfaqe bujqësore për shkak të derdhjes së lumit të Sllupçanit. Sipërfaqe bujqësore të përmbytura ka edhe në fshatin Orizarë.
Në rajonin e Shkupit, në Komunë e Sarajit, sipas QMK-së, situata është e qetë dhe po ndiqet.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometereologjike, gjatë 24 orëve të fundit, deri në ora 07.00 të mëngjesit, më së shumti reshje janë shënuar në Gjevgjeli me 23 litra në metër katror, më Kodrën e Diellit 20 litra në metër katrorë kurse në Tetovë – 7.
QMK njofton se ende është I lartë rrjedha e lumit Vardar në pjesën e sipërme dhe ekziston rreziku për dalje nga shtrati. Rrjedha e lumit Treska po ulet kurse ende ekziston rreziku I daljes nga shtrati në disa pjesë.
DPHM bën thirrje për kujdes gjatë lëvizjeve në afërsi të lumejve .
