Autoritetet e evdit në koordinim me pushtetin lokal dhe popullatën. gjatë gjithë natës kanë qenë në terren, kurse me aktivitete kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm me intervenime pas denoncimeve për përmbytje.
Situatë më kritike është regjistruar në Forinë të Gostivarit. Ekipi i Tv Koha, qëndroi në këtë fshat duke sjellë pamje dhe deklarata të të prekurve nga këto përmbytje.
Mbrëmë ka qenë një natë ankthi në Forinë. Autoriteteve në ndihmë u ka dalë edhe popullata lokale duke asistuar dhe ndihmuar gjatë gjithë natës. Po bëhet identifikimi dhe verifikimi I dëmeve të shkaktuara.
Nga Komuna e Gostivarit njoftojnë se situata është shkaktuar kryesisht nga dalja jashtë shtratit e kanaleve nën administrimin e Drejtorisë për Ekonomi të Ujërave, të cilat nuk janë në kompetencë të Komunës së Gostivarit.
Megjithatë, sic thonë, ekipet e Komunës së Gostivarit, që nga orët e hershme të mëngjesit, ndodhen në terren dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, si dhe për të minimizuar pasojat e shkaktuara nga përmbytjet.
SAFET HASANI – KOMUNA E GOSTIVARIT
Sipas njoftimit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, në rajonin e Gostivarit janë denoncuar shtëpi të përmbytura, bodrume dhe objekte afariste. Është intervenuar në Bellovishtë pas një denoncime për persona të bllokuar, të cilët janë evakyuar në mënyrë të sigurtë. Në Forinë, lumi Vardar ka dalë nga shtrati, ku janë përmbytur shtëpi dhe sipërfaqe bujqësore dhe ekziston rreziku për objektet në afërsi të urës drejt fshatit Tumçevisht. Sipas QMK-së është angazhuar mekanizimi për pastrimin e shtratit të lumit.
