Site icon Tetova Expres

ZAGREB–TIRANË–PRISHTINË: PARTNERITETI QË NDEZI DEBATET NË BEOGRAD

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, tha se Shqipëria dhe Kroacia, si anëtarë të Aleancës, kontribuojnë në stabilitetin rajonal.

Shekerinska e tha këtë të shtunën në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me bashkëpunimin ushtarak të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës dhe reagimet negative të Serbisë ndaj, siç thonë në Beograd, “paktit trefish të Zagrebit, Tiranës dhe Prishtines, të drejtuar kundër Serbisë”.

Ajo shtoi se NATO nuk është palë dhe as nuk merr pjesë në marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, ajo theksoi se anëtarësimi në NATO nuk i pengon anëtarët – në këtë rast, Kroacinë dhe Shqipërinë – të hyjnë në aleanca shtesë mbrojtëse me palë të treta, që në këtë rast është Kosova.

“Investimi në mbrojtje është i rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, por edhe për dialogun politik”

Shekerinska tha se investimi në mbrojtje, por mbi të gjitha dialogu politik, është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, i cili preket edhe nga ngjarjet gjeopolitike, duke shtuar se anëtarët e aleancës nga rajoni japin një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin.

Advertisement

Ajo shtoi se NATO gjithmonë u ka bërë thirrje qeverive në rajon që të angazhohen në dialog, të zgjidhin çështjet e mbetura politike dhe të mbështesin progresin dhe stabilitetin e rajonit, raporton Beta.

Këto pretendime kanë arritur pothuajse nivelin e histerisë në Serbi në muajt e fundit. Konkretisht, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdimisht thotë se është një “aleancë ushtarake e drejtuar kundër Serbisë dhe popullit serb”. Kohët e fundit, Vuçiç madje tha se këto tre shtete po përgatiten të sulmojnë Serbinë.

Vuçiq, si dhe zyrtarë të tjerë serbë, e kanë pyetur vazhdimisht veten se “çfarë do të ishte një aleancë ushtarake për Kroacinë dhe Shqipërinë kur ato janë tashmë anëtare të NATO-s?”

Ndërkaq deklarata e Zagrebit, Tiranës dhe Prishtines nga marsi i vitit 2025, sipas ekspertëve, nuk është një aleancë ushtarake, por bashkëpunim ushtarak në disa fusha. Ajo nuk përmban dispozita mbi mbrojtjen e përbashkët, të cilat janë thelbësore për një aleancë ushtarake, por përkundrazi apostrofon bashkëpunimin në prokurimin e armëve dhe municioneve, shkëmbimin e informacionit dhe përballjen e përbashkët të kërcënimeve kibernetike.

Advertisement
Exit mobile version