Site icon Tetova Expres

Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

Gjykata Kushtetuese nuk është organ politik. Kështu u përgjigj kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski lidhur me kërkesën e Bashkimit Demokratik për Integrim për implementimin e parimit të Badinterit gjatë marrjes së vendimeve në Gjykatën Kushtetuese. Badinteri, sipas tij, është shumë i rëndësishëm në organin politik, ku miratohen ligjet, ndërsa nuk ka vend në asnjë Gjykatë Kushtetuese.
“Parimi i Badinterit është shumë i rëndësishëm për organe politike, siç është Kuvendi ku miratohen, plotësohen dhe ndryshohen ligjet. Gjykata Kushtetuese nuk është organ politik. Nëse zbatohet Badinteri në Gjykatën Kushtetuese, ajo do të nënkuptojë se jo gjykimet juridike, por të tjera do të vendosin për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit. Një gjë e tillë nuk ekziston askund në botë dhe për këtë arsye isha më i ashpër në kuptimin e asaj se nëse një gjë e tillë ndodhë është më mirë që këtij institucioni t’i vihet dryni dhe nuk ka nevojë për ekzistimin e saj.”, – deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Ligji për përdorimin e gjuhëve do të shqyrtohet pas kompletimit të përbërjes
Sa i përket Ligjit për përdorimin e gjuhëve që prej kohësh ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, Kostadinovski tha se me kompletimin e Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojnë të punojnë për të gjitha lëndët. Ai tha se në çdo paraqitje të tij ka apeluar që qytetarët të mos bien pre e manipulimeve politike.
“E dini qëndrimin tim, nuk ka lëndë të ndjeshme, më pak apo më shumë të ndjeshme. Ndjeshmëria nuk humbet me kalimin e kohës, për cilën do lëndë. Nëse sot është i ndjeshëm, do të jetë edhe në vitin 2035 apo 2050. Puna jonë është ta kthejmë besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe shtetit juridik, do të veprohet për secilën lëndë. Pres që shumë shpejt të kompletohet Gjykata Kushtetuese dhe menjëherë pas kësaj në takimin e parë të punës do të hapët çështja, natyrshëm. Ne kemi vendim se duhet të mbahet seancë përgatitore dhe kjo nuk ka ndryshuar.”, – theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Sa i përket kërkesës për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe dhe nëse kjo është në pajtueshmëri me Kushtetutën, Kostadinovski tha se do të përmbahet nga komentimi dhe prejudikimi, pasi që para tyre në procedurë të kushtetutshmërisë është Ligji për përdorimin e gjuhëve.FLORIJE KAMBERI
Exit mobile version