Site icon Tetova Expres

Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, figura të larta shtetërore e politike kanë përcjellë urime për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se si vende mike kultivojnë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.
“Urime për 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, me dëshira për stabilitet dhe prosperitet. Si vende mike, ne kultivojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe punojmë për realizimin e vizionit të përbashkët për integrim evropian të rajonit. Shpresoj të thellojmë dhe forcojmë partneritetin në interes të qytetarëve të të dy vendeve.”, ka shkruar presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, uroi pavarësinë e Kosovës duke kujtuar sakrificën dhe përkushtimin për liri.
“Kjo festë është një moment reflektimi dhe krenarie kombëtare, që mishëron sakrificën, përkushtimin dhe vizionin për liri e shtetndërtim. Pavarësia e Kosovës përfaqëson triumfin e vullnetit të lirë të qytetarëve për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të orientuar drejt së ardhmes evropiane.”, shkroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë.
“17 shkurti është një datë që simbolizon sakrificën, qëndresën dhe flijimin për liri e pavarësitë popullit të Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarëve. Pavarësia e saj u ngrit mbi gjakun dhe guximin e dëshmorëve, si dhe mbi veprën e pavdekshme të Adem Jasharit dhe familjes së tij, që përjetësisht do të mbeten simbol i sakrificës dhe i qëndresës kombëtare. Në emër të Qeverisë së Republika e Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim shpreh urimet më të përzemërta për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.”, shkroi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
Urime janë përcjellë edhe nga ShBA-ja dhe BE-ja. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, në një letër dërguar presidentes Vjosa Osmani, ka theksuar se ShBA-ja mbetet e palëkundur në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ndërsa marrëdhëniet tona vazhdojnë të thellohen, ne presim me padurim ta zgjerojmë partneritetin tonë, përfshirë përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve që nxisin prosperitetin e përbashkët.”, thuhet në letrën e Trampit.
Udhëheqës të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si presidenti i Francës dhe presidenti i Gjermanisë, kanë uruar pavarësinë e Kosovë, duke theksuar mbështetjen e tyre për vendin dhe perspektivën e saj evropiane.
ARMEND MURSELI
Exit mobile version