Site icon Tetova Expres

VËRSHIME NË STRIMNICË TË ZHELINËS SHTËPITË DHE TOKAT BUJQËSORE PËRMBYTEN NGA LUMI VARDAR

Fshati Strimnicë në Komunën e Zhelinës është përmbytur nga uji, pasi që u rit niveli i ujit në Lumin Vardar, që kalon në mes të këtij fshati. Përveç që janë përball me vërshime, një pjesë e fshatit, ka mbetur edhe pa energji elektrike. Banori i fshatit Strimnicë, Bujamin Rustemi thotë se kjo është e katërta herë që uji i ka vërshuar shtëpitë e tyre. Ai u bën thirrje institucioneve që të vijnë të marrin masa konkrete, gjegjësisht, ta pastrojnë shtratin e lumit Vardar që të mos përsëritet e njëjta gjë.

Bujamin Rustemi – Banor i fshatit Strimnicë
“Disave u është futur nëpër shtëpi uji, i ka dëmtuar. Siç e shihni edhe vetë ju, nuk ndalet ky ujë. Është e treta apo e katërta herë që vërshon uji vetëm këtë vit. Duhet institucionet të marrin masa, të pastrohet lumi Vardar të mos rrij kështu sepse ky ujë ua ka përmbyt njërëzve shtëpitë, i ka dëmtuar, ja të gjitha këto shtëpi që i sheh. Nuk është në rregull kjo punë. Ka disa njerëz që nuk lejojnë të pastrohet Vardari. Shteti duhet të merr masa që të vijnë makinat në pranverë dhe ta pastrojnë. Vijnë bëjnë premtime por nuk është pastruar”.

Drejtori i NPK-së Zhelinë Suad Alili thotë se pastrimi i lumit është kompetencë e Ministrisë së Ekologjisë dhe Drejtorisë së Ujërave, dhe i njëjti bën apel që institucionet qëndrore të marrin masa.

Suad Alili – Drejtor i NPK-së Zhelinë
“Kjo nuk është në kompetencë të komunës, por ne kemi qenë afër qytetarëve me ato mundësi që i kemi ne. Kjo bie në komptencë të Ministrisë së Ekologjisë dhe Drejtorisë së ujërave, por edhe të ELEM që i ka hidrocentralet e veta. Këtu duhet të merren masa nga institucionet qëndrore pasi që për lumin Vardar komptencat nuk bien vetëm mbi komunën. Tokat nuk diskutohet, shumë kanë dëme të mëdha kjo pjesa këtu. Me kalimin e kohës deri në muajin korrik duhet të rregullohet kjo çështje për shkak se është një problematikë disa vjeçpare. Prej vitit 2010 kur lumi rrit nivelin ne kemi probleme në këtë pjesë. Tani duhet të marrim masa që të mos na përsëritet kjo, qytetarët të flejnë të qetë. Për shkak se 50 shtëpi tani e dy ditë janë edhe pa energji elektrike.

Komandanti i zjarrëfikësve Avni Ameti thotë se në fshatin Strimnicë situata ka qenë aq alarmante sa që është dashur intervenimi i tyre për të evakouar një familje nga shtëpitë.

Advertisement

Avni Ameti – Komandant i NJTKZ
“Zjarrëfikësit e Tetovës evakouan një familje e cile ishte ngujuar. Ka 18 shtëpi që janë të palëvizshme në fshatin Strimnicë si pasojë e daljes nga shtratit të lumit Vardar”.

Përndryshe, në rajonin e Tetovës dëme të mëdha nga përmbytjet pati edhe në zonën e Treboshit, ku u dëmtua rruga dhe tokat bujqësore, në fshatin Shëmshovë, Xhepçisht si dhe rëshqitje të dheut.

Exit mobile version