Pafajësi për të gjitha akuzat kanë kërkuar avokatët mbrojtës në fjalën përfundimtare të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Jemi në një rreth vicioz, nuk kemi asnjë provë, asnjëherë nuk kemi thënë se ZPS-ja do të vërtetojë kontributin e konsiderueshëm për të cilin ka akuza që gjenden në aktakuzë. Por, standardi që ka dhoma e specializuar, që pasqyron standardet e tribunalit, është që duhet të ketë një kontribut të konsiderueshëm për krimet në aktakuzë. ZPS-ja për këtë nuk ju ka treguar asnjë provë. Në përfundim, të nderuar gjykatës, ju lutem, shpallni pafajësinë për të gjitha akuzat.”, – deklaroi avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq.
Konjufca: Nuk kishte ndërmarrje kriminale në UÇK
Pafajësinë për të gjitha akuzat e kërkoi edhe avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Rodni Dikson; avokati i Rexhep Selimit, Xhefri Roberts, dhe avokati mbrojtës i Jakup Krasniqit. Për të ndjekur fjalën përfundimtare drejt Hagës ka udhëtuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili shpreson se verdikti i gjykatës së Hagës do të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk kishte ndërmarrje kriminale në UÇK. Kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë do të dalë në këtë gjykatë. Nuk ka në zemër të UÇK-së ndërmarrje kriminale. UÇK-ja ka qenë ushtri e drejtë, e krijuar drejtpërdrejt prej popullit të Kosovës. Prej askujt nga lart nuk është krijuar UÇK-ja. Ajo ka marr hov, sidomos pas Epopesë legjendare të Jasharajve dhe rënies së Komandantit Legjendar, së bashku me Hamzën, së bashku me bacën Shaban dhe 58 anëtarë tjerë të familjes.”, – deklaroi minisitri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca.
Shefi i Diplomacisë së Kosovës, Konjufca, njëherësh theksoi se krerët e UÇK-së tashmë e kanë marrë një ndëshkim të padrejtë, sepse procesi zgjati aq shumë sa që u shkelën të drejtat elementare të njeriut, që mbrohet edhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara edhe me Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës, që çdo person të gjykohet në kohë të arsyeshme. Kjo e drejtë u shkel në mënyrë të dhunshme, sepse janë bërë 5 vite e tre muaj që drejtuesit e UÇK-së mbahen të izoluar dhe larg familjeve të tyre dhe larg shtetit të tyre, ka theksuar Konjufca. GYLTENE SINANI
