Site icon Tetova Expres

NIS MUAJI I RAMAZANIT – NË RRITJE ORGANIZIMET FETARE!

Me perëndimin e diellit këtë mbrëmje nis muaji i shenjtë i Ramazanit – muaji i agjërimit, përkushtimit dhe mëshirës. Dita e parë e agjërimit do të jetë të enjten, më 19 shkurt, ndërsa namazi i parë i teravisë falet sonte, më 18 shkurt.

Qytetet tona tashmë kanë marrë pamjet festive në pritje të muajit të bekuar të Ramazanit.

Edhe këtë vit, qyteti i Gostivarit është zbukuruar me dritat festive duke krijuar një atmosferë të veçantë për besimtarët dhe të gjithë qytetarët.

Vendosja e dekorimeve festive tashmë është bërë traditë në Gostivar gjatë muajit të Ramazanit, duke reflektuar frymën e bashkëjetesës, respektit dhe harmonisë ndërmjet komuniteteve në qytet.

Myftinia e BFI – Tetovë ka njoftuar opinionin mbi organizimin e jetës fetare gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

Advertisement

Në këtë mënyrë është shpërndarë edhe një njoftim nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI) ka thuhet se namazi i teravisë në të gjitha institucionet fetare do të falet me 20 rekate.

Por, Muftinia e Tetovës jep edhe sqarime për Namazin e Sabahut dhe Teravisë.

Gjatë muajit të Ramazanit, namazi i sabahut do të falet 20 minuta pas kohës së Imsakut, kurse Namazi i Teravisë, për t’u lënë kohë besimtarëve pas iftarit, do të falet 2 orë pas thirrjes së ezanit të akshamit (Iftarit).

Ndërkohë, përmes Mesazhit për Muajin e Bekuar të Ramazanit, kreu I BFI-së, Shaqir ef. Fetai, bën thirrje për unitet e solidaritet.

REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI – KRYETAR I BFI-së

Advertisement

 “Le ta fillojmë këtë Ramazan me vendosmëri për ndryshim të vërtetë. Le ta përdorim këtë muaj për pajtim me Allahun përmes pendimit të sinqertë dhe për pajtim me njëri-tjetrin përmes faljes dhe mirëkuptimit. Le ta bëjmë sinqeritetin themel të çdo veprimi dhe përgjegjësinë kriter të çdo vendimi.

Lusim Allahun e Madhëruar që ky Ramazan të jetë muaj pastrimi të zemrave, forcimi të besimit dhe ngritjeje morale për secilin prej nesh:

– Që zemrat tona të pastrohen nga çdo barrë e panevojshme.

– Që familjet tona të mbushen me qetësi dhe mirëkuptim.

– Që Bashkësia jonë të forcohet në unitet dhe përgjegjësi institucionale.

Advertisement

– Që vendi ynë të begatohet me paqe, drejtësi dhe stabilitet”

Në aspektin e mbulimit mediatik të Ramazanit, këtë vit, emisionet e Ramazanit vijnë në një format krejtësisht ndryshe! Myftinia e BFI Tetovë prezanton podcast-in “Reflektime Ramazani”, një rrugëtim shpirtëror prej 29 ditësh me 29 mesazhe të zgjedhura.

Gjatë këtij muaji të bekuar, do të keni mundësinë të përfitoni nga hoxhallarët dhe njerëz tjerë të dijes, të dëshmuar për kontributin e tyre në shoqëri.

Emisionet do të transmetohen për cdo ditë para Iftarit në Tv Koha

dhe në kanalin zyrtar të Myftinisë së Tetovës në Facebook dhe YouTube.

Advertisement

 Sipas kalendarit islam, Ramazani është muaji i nëntë dhe konsiderohet një nga periudhat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë. Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe paraqet obligim për çdo burrë dhe grua myslimane të rritur, duke filluar nga agimi deri në perëndim të diellit. Në këtë muaj filloi edhe shpallja e Kuranit, në Natën e Kadrit – nata më e bekuar e vitit.

Muaji i Ramazanit do të përmbyllet me festën e Fitër Bajramit, e cila sivjet bie të premten, më 20 mars.

Exit mobile version