Site icon Tetova Expres

Pas jurisprudencës edhe instruktorët e autoshkollave kërkojnë provim në shqip, heshtje në MPB

Screenshot

Një grup instruktorësh të autoshkollave kërkon që testi profesional për marrjen e licencës për instruktorë të auto-shkollave të jepet edhe në gjuhën shqipe përveç asaj maqedonase, megjithatë nga Ministria e Punëve të Brendshme heshtin, nuk tregojnë nëse do e ofrojnë provmin edhe në shqip, shkruan Portalb.mk.

Grupi i instruktorëve thekson se para pesë viteve u është premtuar se testi për licencë për instruktorë do të ofrohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ky premtim nuk është realizuar deri më sot.

“Tani, kur testi do të mbahet këtë vit dhe afati është i afërt, situata bëhet edhe më shqetësuese. Kandidatët shqiptarë po përballen me padrejtësi dhe trajtim të pabarabartë, pasi testi për licencë për instruktorë vazhdon të mos ofrohet në gjuhën shqipe. Kërkojmë zgjidhje urgjente para mbajtjes së testit dhe marrjen e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që kjo e drejtë ligjore të respektohet pa shtyrje të mëtejshme”, thuhet në kërkesën e instruktorëve.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme edhe pse të pyetur nga Portalb.mk, nuk tregojnë se pse nuk e ofrojnë këtë provim në shqip dhe nëse e kanë në plan të njëjtën.

Kujtojmë që para pak ditëve MPB-ja njoftoi kandidatët për ushtrimin e veprimtarisë si ligjërues dhe shofer -instruktor në autoshkollë, kontrollor, pyetës sipas programit mësimor të rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit (pjesa teorike) dhe pyetës sipas programit mësimor të drejtimit të mjetit (pjesa praktike) në qendër të provimit, se dhënia e provimit profesional për aftësim për punë me qëllim të pajisjes me licencë për punë do të zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë.

Advertisement

“Kandidatët që kanë dorëzuar dokumentacion të plotë do të njoftohen, në përputhje me afatin e paraparë me ligj, për datën dhe orën e zhvillimit të provimit profesional”, tha MPB.

Ndryshe, kohën e fundit aktuale ka qenë edhe kërkesa e studentëve për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila shkaktoi reagime dhe përplasje politike.

Exit mobile version