Shqipëria, Italia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Rumania angazhohen për avancimin pa vonesa të ndërtimit të Korridorit 8 si një ndërlidhje e rëndësishme strategjike, politike, ekonomike dhe të sigurisë. Angazhimi i 5 vendeve u konfirmua përmes një deklarate të përbashkët në ministerialin e mbajtur në Tiranë.
“Ne thjesht po përfundojmë një detyrë që historia e ka përcaktuar tashmë për ne: ta bëjmë këtë pjesë të Evropës realisht të ndërlidhur. Në të gjithë vendin, korridori është në qendër të strategjisë sonë kombëtare të transportit. Shqipëria po bëhet një nga nyjet më të besueshme të këtij projekti. Për rajonin tonë, ky nuk është vetëm një projekt transporti. Është një deklaratë politike. Ai tregon se Adriatiku dhe Deti i Zi nuk janë skajet e Evropës, por portat e saj hyrëse.”, – deklaroi ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Për kryediplomatin italian, Antonio Tajani, Korridori 8 është një projekt kyç për ndërlidhjen e një rajoni që pret ribashkim me Evropën.
“Ne do të bëjmë gjithçka që ju të jeni pjesë e Bashkimit Evropian së shpejti. Por, përpara duhet të bëjmë ribashkimin. Nuk është zgjerim por ribashkim. Ju jeni vende evropiane dhe kështu është më mirë të flasim për ribashkim. Do të këmbëngulim në Bruksel për të arritur rezultate shumë të mira për korridorin 8, jam i gatshëm të bëjmë gjithçka për ta përshpejtuar.”, – theksoi ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Angazhimin për të vijuar investimet dhe përfundimin në një kohë sa më të shpejtë e morën edhe Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania.
“Të harmonizojmë hapat në të gjitha anët. Ndërlidhja nuk është vetëm beton. Rajoni duhet të prodhojë rezultate të prekshme për të gjithë, sidomos për të rinjtë.”, – u shpreh ministri i Jashtëm i RMV-së, Timço Mucunski.
“Korridori 8 rrit konkurrueshmërinë dhe ekonominë e rajonit, ul varësinë nga korridoret e tjera, është një katalizator zhvillimi dhe do ta bëjë më tërheqës rajonin.”, – deklaroi zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolaj Pavlov.
“Rumania është shumë e përkushtuar të mbështesë këtë infrastrukturë të rëndësishme për Evropën Juglindore. Aspekti strategjik në të ardhmen na bën bashkë dhe është detyra jonë të bashkëpunojmë.”, – theksoi ambasadori i Rumanisë,
Oktavian Sherban.
Korridori 8 është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për integrimin rajonal që synon të lidhë portin e Durrësit dhe Vlorës me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë, duke krijuar një aks strategjik mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi.
LULJETA NDOKA
