Site icon Tetova Expres

POLITIKANËT UROJNË RAMAZANIN – BËHET THIRRJE PËR REFLEKTIM!

Me nisjen e Muajit të bekuar të Ramazanit, nuk kanë munguar edhe urimet e krerëve të institucioneve shtetërore por edhe liderëve të partive. Në urimet e tyre bëhet thirrje për unitet, solidaritet dhe reflektim.

Ramazani është një udhëtim i thellë shpirtëror drejt vetëdijes, përulësisë dhe dashurisë për Zotin si dhe ndaj njëri-tjetrit – thotë në urimin e tij, Kryeparlamentari, Afrim Gashi.

“Në heshtjen e agjërimit lind mëshira, forcohet durimi dhe qetësohet shpirti; në sakrificë rritet mirënjohja, ndërsa në lutje gjejmë shpresën që na bashkon” – thuhet në urimin e Gashit.

 “Ramazani le të jetë muaj i shenjtë, një fillim i ri për shpirtin dhe një afrim më i madh me njëri tjetrin. Agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara” – shkruan shkurt nëpër rrjetet sociale, Kreu I Lëvizjes BESA dhe Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke shpërndarë një video-material me pamje nga droni të xhamive në rajonin e Komunës së Tetovës.

Nëse Kasami ka shpërndarë pamje të Xhamive të Rajonit të Tetovës, kreu I Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, nëpër rrjetet sociale, urimit ia ka bashkangjit edhe një foto nga Xhamia e re që mbrëmë u hap në Shkup.

Advertisement

“Në Çair, në rrugët e Shkupit dhe në lagjet ku jehona e ezanit është pjesë e përditshmërisë, Ramazani ka mbajtur gjithmonë një ndjenjë të veçantë” – shkruan në Facebook, Izet Mexhiti.

Me ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, hapet një kapitull i veçantë reflektimi, përkushtimi dhe afrimi me Krijuesin – thuhet në urimin e jreut të BDI-së, Ali Ahmetit.

“Ramazani është më shumë se agjërim; është shkollë e durimit, e solidaritetit dhe e pastrimit shpirtëror. Është thirrje për të forcuar besimin, për të shtuar veprat e mira dhe për të ndarë me njëri-tjetrin frymën e mëshirës e të mirëkuptimit” – shkruan Ali Ahmeti nëpër rrjetet sociale.

Urimi për fillimin e Ramazanit nuk ka munguar edhe nga lideri I LSDM-së, Venko Filipçe.

“Agjërimi i Ramazanit është më shumë se traditë, është rikujtues për vlerat më të rëndësishme njerëzore – respektit, solidaritetit, mëshirës dhe mirëkuptimit të mndërsjelltë” – shkruan Filipçe.

Advertisement

“Ky muaj të na udhëheqë drejt veprave të mira, bashkëpunimit dhe solidaritetit, duke na kujtuar rëndësinë e mbështetjes së njëri-tjetrit” – në këtë mënyrë nisjen e Ramazanit e ka uruar edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Urime kanë mbërritur edhe nga ASH-ja.

“Qoftë muaji i Ramazanit një kohë reflektimi për të zbuluar sa më shumë dritë e tolerancë për veten e për njëri-tjetrin sepse kemi shumë nevojë!” – shkruan Arben Taravari.

“Uroj nga zemra çdo besimtarë e besimtare që Zoti të ja lehtësojë agjërimin, t’ua pranojë lutjet e t’ua begatojë jetën.

Të keni shëndet, dashuri, harmoni dhe bereqet në familjet tuaja!” – thuhet në urimin e Ziadin Selës.

Advertisement
Exit mobile version