Site icon Tetova Expres

Problemi me qentë endacak dhe sulmet ndaj kalimtarëve vazhdon të mbetet i pazgjidhur

Problemi me qentë endacak dhe sulmet ndaj kalimtarëve vazhdon të mbetet i pazgjidhur në Shkup. Vetëm këtë muaj janë denoncuar disa raste kur kalimtarë të rastit kanë përfunduar në spital pas kafshimit nga ana e qenve endacak.

Gjatë vitit të kaluar, qindra qytetarë të Shkupit kanë kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga qentë endacakë, duke e kthyer këtë problem në një sfidë serioze për institucionet lokale.

Për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, Orce Gjorgjievski, kryetari i Qytetit të Shkupit, paralajmëroi se gjatë periudhës së ardhshme do të rriten kapacitetet në Ndërmarrjes Publike “Lajka” dhe se do të ketë kushte më të mira për të gjitha kafshët në qytet.

“Bëjmë përpjekje të ndjeshme në zgjidhjen e problemit me qentë e rrugës. Siguruam mjete ndërsa në periudhën e ardhshme do të zgjerojmë kapacitetet e NP “Lajka”, me qellim që të ofrojmë tretman human dhe kushte më të mira për të gjitha kafshët në qytet”, deklaroi Orce Gjoergjievski – Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Sipas të dhënave të Qytetit të Shkupit, gjatë vitit 2025 janë paraqitur 383 padi civile për dëme të shkaktuara nga qen endacakë, ku me vendime gjyqësore janë paguar mbi 45 milionë denarë për qytetarët e dëmtuar. Nga muaji janari i vitit 2025 deri në janar të vitit 2026, janë ngritur gjithsej 440 padi për kompensim të dëmit jo material për shkak të sulmeve nga qentë endacak në Shkup.

Advertisement

Në vitin 2025, për 383 vendime gjyqësore, Qyteti i Shkupit ka paguar mbi 45.973.353 denarë ndaj qytetarëve të dëmtuar.

Exit mobile version