Reshjet e fundit kanë ndikuar në rritjen e nivelit të lumejve. Autoritetet alarmojnë për mundësi të daljes nga shtrati të pjesës së sipërme të Vardarit. Bora në viset malore gjithashtu ka shkaktuar telashe në trafik. Nga java e ardhshme, sipas meterologëve, pason ndryshimi drastik I motit me rritje graduale të temperaturave dhe atmosferë pranvere.
Drejtoria për Punë Hidrometereologjike ka njoftuar se gjatë natës së kaluar në gjithë vendin ka patur reshje të përkohshme të shiut.
Edhe gjatë ditës priten reshje shiu, që sipas autoriteteve, për shkak të ngopjes së tokës me lagështi mund të shkaktojnë rritje lokale të nivelit të lumejve dhe mundësi për përmbytje.
Kujdes të vecantë, sipas autoriteteve, duhet t`i kushtohet pjesës së sipërme të lumit Vardar, ku niveli është ende I lartë dhe ekziston mundësia për përmbytje lokale.
Një situatë të këtillë, para disa ditëve, përjetuan banorët e disa fshatrave të Gostivarit, në vecanti fshati Forinë, ku rritja e nivelit të Vardarit shkaktoi përmbytje dhe dëme materiale nëpër shumë shtëpi dhe objekte në këtë vendbanim.
Përvec shiut, probleme paraqiten edhe me reshjet e borës në viset malore.
Hiqet ndalesa për automjete të rënda transportuese në drejtimin rrugor Gostivar – Kërçovë përmes Strazhës, që ishte vendosur kohë më parë, njoftuan nga Ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë”.
Nga kjo Ndërmarrje thonë se në fuqi mbetet në fuqi ndalesa për qarkullimin e kamionëve dhe autobusëve në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit.
Metereologët paralajmërojnë se gjatë javës së ardhshme, pritet ndryshimi drastik I motit, me rritje graduale të temperaturave dhe mot pranveror.
