Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në vazhdën e procesit të riorganizimit dhe përzgjedhjes së kryetarëve të degëve, sot ka marrë vendim për emërimin e një pakoje të re të kryetarëve të degëve.
Sipas njoftimit të integristëve, zgjidhen Kryetarë të rinj në Degët, Çashkë, Veles, Petrovec dhe Studeniçan.
Sipas BDI-sdë, ky hap është pjesë e procesit të thelluar të reformimit dhe konsolidimit të brendshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, me synimin për fuqizimin e strukturave partiake dhe shtrirjen e organizuar në çdo cep të vendit.
Në anën tjetër, në Tetovë është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit për Organizimin e Kongresit të Aleancës për Shqiptarët, sic thuhet, menjëherë pas zgjedhjes së Valbon Limanit në krye të këtij organi.
Sipas komunikatës partiake, Limani ka potencuar se nga ky moment nis zyrtarisht procesi i organizimit të degëve dhe nëndegëve në terren, si dhe konsolidimi i strukturave partiake në nivel lokal dhe qendror.
Organizimi i kongresit do të zhvillohet si një proces gjithëpërfshirës, me fokus në fuqizimin e subjektit politik përmes përfshirjes së figurave të reja, profesionistëve dhe të rinjve, të cilët do t’i japin energji të re vizionit politik të Aleancës për Shqiptarët.
Procesi organizativ pritet të intensifikohet në javët në vijim, përmes takimeve në terren dhe mobilizimit të strukturave në të gjitha degët e Aleancës për Shqiptarët.
