Vazhdojnë përplasjet për kapjen e tonelatave të kanabisit në Maqedoni të Veriut. Përderisa partitë akuzojnë njëra tjetrën për përfshirje në krim, deri tani janë arrestuar 6 persona që dyshohen për kultivimin dhe transportimin jo legal të drogës. Nga LSDM-ja opozitare thonë se fakti që droga ka lëvizur lirshëm nëpër shtet dhe jashta kufijve tregon se sa e përfshirë është partia që udhëheq me pushtetin në këtë skandal.
“Informacionet e fundit për skandalin më të madh të drogës me 5 tonë narkotikë, të publikuara nga Prokuroria, konfirmojnë se droga e ka kaluar lirshëm kufirin maqedonas, “në mënyrë të përsëritur”. Më pas është organizuar edhe kalimi i kufirit maqedonas. Pra, droga jo vetëm që e ka kaluar lirshëm kufirin, por është transportuar lirshëm nëpër gjysmën e Maqedonisë. Kush e ka lejuar këtë nga Ministria e Punëve të Brendshme? Ku ishte policia? Ku ishin 65 mijë kamerat? A është për këtë arsye që Toshkovski në televizion thotë: “Nuk është çështja si ka dalë droga nga Maqedonia, por si ka hyrë në Serbi”?” thonë nga LSDM-ja.
Nga ana tjetër, Hristjan Mickoski deklaroi se ka informacione se si marihuana e sekuestruar në Serbi ka dalë nga Maqedonia e Veriut, duke drejtuar gishtin drejt personave të lidhur me pushtetin e mëparshëm. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ai zbuloi se në këtë rast është e përfshirë një kompani e lidhur me një ish-funksionar lokal LSDM-së.
“Ka funksionarë, por nga Qeveria e kaluar. Ka një kompani që është në pronësi të ish-kryetarit të LSDM-së në Novo Sellë, përkatësisht të djalit të tij. Ndoshta Ministria e Punëve të Brendshme mund të ndajë më shumë informacione, por në interes të hetimit do të ndalem me kaq”.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se është hapur procedurë hetimore kundër gjashtë personave për qarkullim të paautorizuar të lëndëve narkotike. Hetimi bazohet në prova nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria serbe përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar nga viti 2025 deri në fund të janarit 2026. I dyshuari i parë, pronar i një kompanie nga Shkupi, ka siguruar mbi 8.832 kilogramë lule të thata kanabisi nga një kompani në rajonin e Strumicës. Pasi punonjësit e kanë paketuar në mbi 200 kuti, është organizuar transport i shumëfishtë drejt Serbisë.
Për dy nga të dyshuarit, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim afatshkurtër, prokurori kompetent ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
