Policia në Tiranë ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji gjatë përplasjeve me protestuesit opozitarë, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë shqiptare pas pretendimeve të ngritura për korrupsion kundër zëvendëskryeministres, Belinda Balluku. Protesta e 20 shkurtit u thirr nga Partia Demokratike në opozitë. Protestuesit hodhën koktej molotovi dhe fishekzjarrë ndaj ndërtesës së Kryeministrisë dhe policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Tensione, përplasje dhe molotovë ishin kryefjala e protestës së opozitës përpara Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit në Tiranë.
Gjithçka nisi pas fjalës së Sali Berishës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili ftoi shqiptarët që, ashtu si 35 vite më parë larguan diktatorin Hoxha, t’i rezervojnë të njëjtin fund edhe Kryeministrit Edi Rama.
Hedhja e molotovëve në drejtim të Kryeministrisë solli edhe kundërpërgjigjen e policisë, e cila fillimisht e shpërndau turmën me ujë.
Edhe jashtë godinës së Kuvendit mbështetësit e opozitës hodhën në mënyrë të vazhdueshme molotovë.
Në kundërpërgjigje, policia hodhi ujë e gaz lotsjellës, që përfundoi edhe në hyrje të Xhamisë së Namazgjasë, ku qindra besimtarë kryenin ritualet e faljes gjatë muajit të Ramazanit.
Policinë e Shtetit kryedemokrati e akuzoi jo vetëm për përdorimin e sasisë së madhe të gazit në drejtim të protestuesve, por edhe në drejtim të Xhamisë së Namazgjasë.
Policia e Tiranës ka dalë në një njoftim zyrtar në lidhje me protestën e djeshme të zhvilluar nga opozita. Uniformat blu njoftuan se kanë arrestuar në total 18 protestues dhe kanë proceduar penalisht 46 të tjerë.
Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori i kaluar, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti aktakuzë kundër ministres së Edi Ramës, Belinda Balluku.
SPAK e akuzon Ballukun për ndërhyrje në tenderë publikë që kishin të bënin me projekte të mëdha infrastrukturore dhe për favorizim të kompanive të caktuara. Balluku i ka mohuar akuzat.
