Site icon Tetova Expres

DORËZOHET ARTAN GRUBI – ARRESTOHET NË VENDKALIMIN BLLACË!

Në orën 06.10 minuta, Artan Grubi është paraqitur në vendkalimin kufitar “Bllacë”, pas cka është ndaluar nga policia.

Nëpër rrjetet sociale është publikuar video-xhirimi I ndalimit të tij nga policia.

Nga ora 09.20 ish-Zv/Kryeministri Grubi është në paraburgim në Burgun e Shutkës.

Nga ky burg kanë potencuar se si pjesë të procedurës së rregullt, Grubi është pyetur nëse ndjehet I sigurtë dhe sipas përgjigjes, Drejtori ka marrë vendim që ta akomodojë me një person tjetër.

Nga Gjykata Penale – Shkup kanë potencuar se për momentin nuk ka ndryshime në procedurën kundër Grubit, për shkak se kjo Gjykatë tashmë ka përcaktuar masën e paraburgimit 30 ditor që nisi të zbatohet pas ndalimit të tij.

Advertisement

Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”.

Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.

Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Penale pati kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Grubin dhe Bajramin dhe po atë ditë autoritetet maqedonase patën lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar për të dyja figurat.

Artan Grubi pati thënë përmes një postimi në Facebook se nuk po arratiset mirëpo që ishte në një vizitë private në Kosovë dhe që do të kthehej në shtëpi. Ditën pas asaj deklarate, policia ka kërkuar në dy lokacione mirëpo nuk e ka gjetur atë.

Advertisement

Mes tjerash, Grubi është futur në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit më 9 dhjetor, për shkak të, siç është thënë, përfshirjes në korrupsion, për ndërhyrje politike dhe përpjekje për të mashtruar gjyqësorin.

Arsyetimi për përfshirje në këtë listë ishte sepse ata kanë marrë ryshfet për të ndikuar në procedurat gjyqësore që lidhen me dënimin penal të ish-drejtorit të Administratës së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijalkov, në rastin “Target” të hapur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), i cili kishte të bënte me përgjimet masive.

Exit mobile version