Site icon Tetova Expres

Përsëri thirrje raciste antishqiptare në fushat e sportit, derbi Vardari-Bashkimi riktheu debatin për gjuhën e urrejtjes

Sipas reagimit zyrtar të Federatës së Futbollit e Maqedonisë, kartoni i kuq ndaj futbollistit të Bashkimit, Rexhep Murati, u dha për pështyrje ndaj gjyqtarit, vendim që – sipas tyre – u konfirmua edhe nga sistemi VAR.

“Lidhur me ndeshjen e sotme të javës së 19-të në Ligën e Parë të Maqedonisë ndërmjet FK Vardarit dhe FK Bashkimit, në minutën e 87-të u akordua karton i kuq direkt për lojtarin me nr. 3 të ekipit mysafir për shkak të pështyrjes ndaj gjyqtarit. Gjyqtari kryesor ndodhej në një distancë rreth një metër nga ngjarja, e vërejti qartë pështyrjen dhe pa hezitim tregoi me të drejtë karton të kuq direkt. Ky veprim tejet josportiv u konfirmua edhe nga gjyqtarët e VAR-it, në bazë të provave të qarta video nga momenti i incidentit. Më pas, personi zyrtar i përjashtuar më herët nga stoli i FK Bashkimit hyri në mënyrë të palejuar në fushën e lojës, duke provokuar dhe nisur përballje me lojtarin aktiv të FK Vardarit, Boban Nikollov. Një sjellje e tillë është krejtësisht josportive dhe e palejueshme, veçanërisht duke pasur parasysh se personi ishte përjashtuar në pjesën e parë dhe në asnjë mënyrë nuk duhej të hynte në fushë. Shkaku i përballjes dhe i përjashtimit rrjedh ekskluzivisht nga sjellja e palejueshme e lojtarit me nr. 3, i cili pështyu drejt gjyqtarit, si dhe nga hyrja e palejuar në fushë e personit zyrtar të përjashtuar, i cili nisi përballjen me lojtarin e FK Vardarit, Boban Nikollov, i cili më pas me të drejtë u ndëshkua disiplinarisht me karton të verdhë”, thanë nga FFM.

Nga ana tjetër, klubi nga Kumanova e mohoi kategorikisht këtë pretendim, duke e cilësuar si interpretim të gabuar dhe tendencioz të pamjeve. Sipas tyre pika e bardhë që është paraqitur si pështymë në video, është pjesë e palltos të një tifozi në tribunë.

“FFM-ja me shpejtësi të dritës paska reaguar në mbrojtje të referit Benjamin Kerimi, referit kryesor të ndeshjes KF VARDAR – KF BASHKIMI 1947! Falemnderojmë nga zemra FFM-në për publikimin e videos ku qëllimi kryesor është arsyetimin e vendimit te referit për ndëshkimin e Rexhep Murati me karton të kuq, ku në mënyrë flagrante shihet gënjeshtra dhe tendeca e qëllimshme e referit Benjamin Benoo për ta përjashtuar lojtarin e U21 të Maqedonisë! SHIKONI VIDEON E FFM-së. Sekondi i 4 dhe 5 rrethohet “pështyma fantazmë” e lojtarit tonë dhe ÇUDITSHMËRISHT pështyma mbetet ende në ajr edhe pas shumë sekondave (sekonda 7,8,9 e videos)”, thoanë nga FC Bashkimi.

Përplasjet verbale dhe fizike pasuan menjëherë, ndërsa ndeshja u ndërpre për disa minuta.

Advertisement

Ngjarja ka nxitur reagime politike dhe institucionale.

Rastet të ngjashme janë regjistruar edhe më parë në Maqedoninë e Veriut, ku thirrje nacionaliste dhe ofenduese kundër shqiptarëve apo grupeve të tjera kanë kaluar pa ndëshkim të qartë institucional.

Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. 

Në një shoqëri të brishtë multietnike si Maqedonia e Veriut, mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes nuk është thjesht neglizhencë administrative, është një mesazh i rrezikshëm. Kur institucioneve u mungon reagimi i shpejtë dhe i vendosur, ato në mënyrë implicite i japin hapësirë ekstremizmit të normalizohet. Kështu, një brohoritje raciste nuk mbetet më vetëm incident, por shndërrohet në precedent që nxit ndarje. 

Advertisement
Exit mobile version