Site icon Tetova Expres

QYTETARËT SKEPTIK PËR ANËTARËSIM NË BASHKIMIN EVROPIAN

Pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit Hristjan Mickoski se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2027, qytetarët mbeten skeptikë – madje më shumë se ç’duhet.

Sipas tyre, Maqedonia e Veriut nuk do të anëtarësohet asnjëherë në BE, pasi vetë udhëheqësit e shtetit nuk e dëshirojnë një gjë të tillë. Ata vlerësojnë se me anëtarësimin në BE do të rriteshin kontrollet dhe mekanizmat e mbikëqyrjes, çka do ta vështirësonte keqpërdorimin e fondeve dhe të buxhetit të shtetit.

Qytetarët theksojnë se migrimi nga Maqedonia e Veriut nuk do të ndalet dhe se ata që janë larguar nuk do të kthehen, edhe nëse vendi anëtarësohet një ditë në Bashkimin Evropian.

Sipas tyre, premtimet për anëtarësim në BE janë dëgjuar shpesh ndër vite, por kanë rezultuar të pavërteta. Edhe pas 30 vitesh, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet jashtë familjes evropiane, pavarësisht mijëra premtimeve të bëra nga qindra politikanë.

Maqedonia e Veriut ka stagnuar në rrugën e integrimit për shkak të kontestit me Bullgarinë, e cila kërkon njohjen e komunitetin bullgar si të barabartë me komunitetet tjera në Kushtetutë. Kjo kërkon të miratohen në Kuvend me shumicë prej dy të tretash të votave të deputetëve.

Advertisement
Exit mobile version