Site icon Tetova Expres

ALARMET E RREJSHME PËR BOMBA PARALIZOJNË SHKOLLAT NË TETOVË

Alarmet për mjete shpërthyese në shkollat fillore dhe të mesme i lanë edhe sot nxënësit tetovarë pa mësim! Përderisa Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet e tjera të sigurisë së shtetit nuk po i gjejnë denoncuesit e rrejshëm të bombave në shkolla, nxënësit do të vazhdojnë të humbin procesin mësimor. Nga Sektori për Arsim pranë Komunës së Tetovës thonë se kanë dërguar kërkesë deri te SPB-Tetovë që të konfirmojnë se procesi mësimor mund të vazhdojë, por kjo do të vlejë vetëm për sot. E nëse nesër paraqitet i njëjti rast, nxënësit përsëri duhet të nxirren nga shkollat dhe të presin deri sa SPB Tetovë ta kontrollojë shkollën dhe të konstatojë se bëhet fjalë për alarm të rrejshëm.

Dauti thotë se sapo të qetësohet puna me denoncimet e rrejshme, do të shqyrtojnë mundësinë për zëvendësimin e orëve dhe ditëve të humbura.

Përndryshe, Gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejqinoviq” mban rekord me mbi 14 alarme të rrejshme vetëm gjatë gjysmëvjetorit të dytë. Dje, alarm për bombë pati në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë, si dhe në shkollat private që gravitojnë në komunën e Tetovës. Njoftimet për bomba në shkolla nuk shkojnë në adresat elektronike të shkollave, por në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe pavarësisht kësaj, institucionet e sigurisë ende nuk mund ta lokalizojnë personin që i dërgon këto njoftime të rrejshme, të cilat po shkaktojnë shumë telashe. Problemi me alarmet për bomba në Maqedonia e Veriut filloi para dy vitesh në Shkup, kur e njëjta situatë si në Tetovë paraqitej atje me denoncime të rrejshme.

Exit mobile version