Nuk kanë të ndalur reagimet në opinion pas kthimit të Artan Grubit në vend. Partitë me akuza e kundërakuza për skenare të dakorduara, por edhe për marrëveshje sekrete. Një pjesë e tyre vlerësojnë se është duke mbretëruar panikë në qarqe të ndryshme politike, për shkak të pretendimeve se “Grubi din shumë gjëra” kurse arresti shtëpiak lidhet me gatishmërinë e tij që të bashkëpunojë me institucionet.
LSDM-ja vazhdon të insistojë se ngjarjet e djeshme që lidhen me Grubin paraqesin skenare të dakorduara në regji të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, kurse po realizohen para syve të opinionit.
Gjëja e vetme që pritet, sipas socialdemokratëve, është përgjigja në pyetjen se cfarë fiton BDI-ja.
ALEKSANDAR DIMITRIJEVIQ – LSDM
“U varros shteti juridik. Gjithcka është e dakorduar. Arrest shtëpiak për personin që një herë u arratis. Për këtë shkak e larguan Prokurorin Publik, zgjodhën gjykatës dhe prokurorë nën kontrollin e tyre. Vendimin për arrest shtëpiak e miratoi Prokurori I Prokurorisë së Shkupit ku para një muaji si shef u zgjodh Anel Fidanoski. Është e qartë se cfarë po ndodh”
VMRO-DPMNE thotë se e kupton revoltën e qytetarëve, sic thonë, pas vendimit të organeve të gjyqësorit me 2% besueshmëri. Sipas tyre, kjo pakënaqësi vjen pas agonisë 7-vjecare të sundimit LSDM-BDI dhe serisë së pandëshkueshmërisë.
Partia në pushtet siguron qytetarët se përgjegjësi për Grubin do të ketë.
VMRO – DPMNE
“Sa i përket hipokrizisë së LSDM-së, shihet në faktin se deri dje thonin se pushteti e lejoi të arratiset, kurse sot pohojnë se është dakorduar ndalimi i tij nga organet e ndjekjes. E vërteta është se Artani është ortak në krimet e Zaevit, Filipçes, Spasovskit dhe të gjithë së bashku do të përgjigjen. Procesi gjyqësor kundër Artanit po nis, kurse së shpekti do të fillojë edhe për partnerët e tij. Drejtësi do të ketë”
Rikthimi i Grubit nuk është fundi i procesit. Është fillimi – thuhet në reagimin e koalicionit VLEN duke pohuar se është fillimi i një zbërthimi që mund të çojë në demaskimin e plotë të mënyrës se si ka funksionuar BDI. Pyetja nuk është më nëse do të ketë pasoja politike, por, sipas VLEN, sa të thella do të jenë ato.
VLEN
BDI e di shumë mirë pse e ka kapluar paniku. Frika nuk është nga drejtësia, por nga shumë gjëra që Artan Grubi di dhe nga gjithçka që ai mund të nxjerrë në dritë. Ai është dëshmitar i aferave të errëta, pazareve politike, e i marrëveshjeve që për vite me radhë janë bërë në dëm të qytetarëve. Arresti shtëpiak është pasojë e gatishmërisë së Grubit për t’u përballur institucionalisht me mëkatet e tij. Thelbi është se institucionet më në fund po e hapin temën që BDI e ka varrosur prej vitesh, si është ushtruar pushteti dhe ku kanë përfunduar vendimet dhe paratë.
Por, nga BDI shprehin pakënaqësi nga sjellja e partive të ndryshme politike të cilët përmes paraqitjeve publike kanë politizuar skajshmërishtr rastin me Artan Grubin. Integristët, përmes komunikatës, gishtin e drejtojnë tek partitë që janë pjesë të qeverisë, që sipas tyre, paraqet implikim të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor.
BDI
“I bëjmë thirrje Gjykatës, Prokurorisë dhe organeve kompetente që të mos bien pre e presioneve politike dhe të veprojnë ekskluzivisht në bazë të ligjit dhe dëshmive. Pavarësia e gjyqësorit është themeli i sundimit të së drejtës dhe obligim kushtetues, e jo çështje interpretimi nga ana e opinionit, aq më pak të partive politike. Presim që procesi të zhvillohet me respektimin e plotë të prezumimit të pafajësisë, të drejtave procesuese dhe dinjitetit të çdo personi të implikuar në procedurë”
Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”.
Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.
Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).
