Site icon Tetova Expres

Iseni: Dhuna në ndeshjen Vardar–Bashkimi do të ndëshkohet, sporti s’duhet të kthehet në urrejtje

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes FK Vardar dhe KF Bashkimi, duke theksuar se çdo shkelje e ligjit do të marrë përgjigjen e merituar institucionale.

Në reagimin e tij, Iseni bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet dhe se policia ka vepruar sipas procedurave për të garantuar rendin dhe sigurinë e tifozëve, lojtarëve dhe stafit.

“Dhuna, ofendimet dhe sjelljet që nxisin tensione nuk i ndihmojnë as sportit, as shoqërisë sonë. Ekipet tona kanë qenë në terren dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin,” deklaroi Iseni.

Ai theksoi se aktualisht janë duke u verifikuar të gjitha incidentet, ndërsa çdo moment i regjistruar po shqyrtohet me kujdes. “Kushdo që ka shkelur ligjin do të përballet me përgjegjësitë që parasheh ligji. Këtë e them me bindje të plotë,” u shpreh zëvendësministri.

Iseni apeloi që sporti të mos përdoret për të nxitur përçarje apo urrejtje, duke nënvizuar se futbolli duhet të mbetet emocion dhe pasion në frymën e fair-play-it. Ai bëri të ditur se MPB është në komunikim të vazhdueshëm me Federata e Futbollit e Maqedonisë dhe klubet për të siguruar zhvillimin e ndeshjeve në kushte të sigurta.

Advertisement

Në fund, Iseni u bëri thirrje të gjithë tifozëve që ta respektojnë sportin dhe njëri-tjetrin, duke garantuar se institucionet do të veprojnë me profesionalizëm të plotë. (INA)

Exit mobile version