“Personat që kanë punuar jashtë vendit nuk do të paguajnë taksa nëse vërtetojnë se kompania përmes së cilës janë punësuar ka paguar taksa në vendin ku kanë punuar”, thotë kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigje të pyetjes së Televizionit Koha në lidhje me njoftimet e DAP-it për pagesën e taksave për personat që kanë punuar jashtë vendit.
Kryeministri Hristijan Mickoski sqaroi se nuk bëhet fjalë për vendosje të një takse retroaktive. Sipas tij, baza ligjore për këtë detyrim është miratuar nga qeveria e mëparshme e përbërë nga LSDM dhe BDI. Ai theksoi se, për shkak se afatet ligjore kishin përfunduar në fund të vitit të kaluar, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ishte e obliguar t’i njoftonte qytetarët dhe individët për të shlyer detyrimet tatimore ndaj shtetit.
“Dua të sqaroj disa gjëra. Nuk bëhet fjalë për taksë retroaktive. Ky është një ligj që u miratua nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa DAP-i, për shkak se afati ligjor para këtyre vendimeve skadoi në fund të vitit të kaluar, duhej t’u drejtohej individëve, si dhe të gjithë qytetarëve në vend, në mënyrë që ata të paguajnë taksën që duhet të paguajnë në shtet. Nëse DAP-i nuk do ta kishte bërë këtë, atëherë ndonjë qeveri pas nesh ose ndoshta kjo qeveri dhe do të kishte kërkuar përgjegjësi penale për DAP-in, ose më saktë për drejtoreshën, për dëmtimin e Buxhetit. DAP-i vetëm u dorëzoi individëve një njoftim se duhet ta shlyejnë atë detyrim brenda një afati të caktuar”.
Mickoski madje thotë se ka mbajtur takim në lidhje me kërkesat e fundit që u bënë nga qytetarët nëpër protesta, në Tetovë dhe Kumanovë, kryesisht të qytetarëve që kanë punuar në Irak dhe Afganistan.
“Patëm takim në kabinetin tim, biseduam me njerëz që ishin në pjesë të ndryshme të botës dhe arritëm në përfundimin se ata duhet të vërtetojnë se kompanitë që i punësuan ata paguanin taksë në vendin ose vendet ku ishin punësuar. Dhe në atë mënyrë, DAP-i nuk do ta paguajë atë taksë”.
Përndryshe organizatorët e protestave kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre.
