Shumë nxënës sot nuk shkuan në shkollë. Edhe pse pas dy ditëve me radhë me njoftime të rrejshme për bomba nëpër shkollat fillore dhe të mesme të vendit, sot procesi mësimor për të tjerët u zhvilluas normalisht, pasi nuk ka pasur paralajmërime të tjera për mjete shpërthyese nëpër shkolla. Kështu së paku thonë disa drejtorë me të cilët sot ka kontaktuar Televizioni Koha, e të cilët u bëjnë apel nxënësve dhe prindërve që të mos kenë frikë dhe që t’i kthehen nomralititet e të ndjekin procesin mësimorë siç është ndjekur më herët.
Nga ana tjetër autoritetet njoftuan se gjatë ditëve të kaluara institucionet arsimore u evakuuan me kohë dhe u kryen kontrolle të detajuara nga njësitet përkatëse, me ç’rast u konstatua se bëhej fjalë për alarm të rremë. Ngjarjet shkaktuan shqetësim tek nxënësit, prindërit dhe stafi arsimor, ndërsa mësimi u ndërpre përkohësisht për arsye sigurie.
Sot, sipas informacioneve nga drejtuesit e shkollave, mësimi po zhvillohet pa pengesa dhe pa asnjë kërcënim të ri. Autoritetet theksojnë se mbeten në gatishmëri të plotë dhe po punojnë për zbardhjen e rasteve dhe identifikimin e personave përgjegjës për përhapjen e këtyre njoftimeve të rreme. Ndrësa sa i përket mësimit të humbur, nga sektori për arsim pranë komunës së Tetovës thonë se sapo të qetësohet puna me denoncimet e rrejshme, do të shqyrtojnë mundësinë për zëvendësimin e orëve dhe ditëve të humbura
Institucionet u bëjnë apel qytetarëve të mos përhapin panik dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare.
Përndryshe, Gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejqinoviq” mban rekord me mbi 14 alarme të rrejshme vetëm gjatë gjysmëvjetorit të dytë. Dje, alarm për bombë pati në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë, si dhe në shkollat private që gravitojnë në komunën e Tetovës. Njoftimet për bomba në shkolla nuk shkojnë në adresat elektronike të shkollave, por në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe pavarësisht kësaj, institucionet e sigurisë ende nuk mund ta lokalizojnë personin që i dërgon këto njoftime të rrejshme, të cilat po shkaktojnë shumë telashe. Problemi me alarmet për bomba në Maqedonia e Veriut filloi para dy vitesh në Shkup, kur e njëjta situatë si në Tetovë paraqitej atje me denoncime të rrejshme.

