Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nga nesër deri të shtunën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj vizite janë paraparë takime institucionale në nivel të lartë, si dhe aktivitete me karakter diplomatik. Presidenti Begaj do ta vizitojë edhe Tetovën.
Në Tetovë, bilbordet paralajmërojnë ardhjen e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj. Në kuadër të vizitës në vendin tonë më 28 shkurt, të shtunën, do të qëndrojë edhe në Tetovë.
Tv Koha mëson agjendën e ngjeshur të vizitës. Vizita zyrtare nis nga ora 09.00 dhe do të zgjasë deri më 11.30.
Vizita do të nis në ambientet e Komunës, ku Presidenti do të pritet nga kryetari komunës Bilall Kasami, për të vijuar më pas në këmbë drejt Shkollës Fillore “LIRIA”. Në këtë shkollë është paraparë një program artistik me këngë dhe valle tradicionale shqiptare, të përgatitur nga nxënësit dhe SHKA “Xheladin Zeqiri”.
Më tej, Presidenti Begaj së bashku me Bilall Kasamin do të vizitojnë Xhaminë e Pashës dhe Teqenë Arabati Baba , ku Presidentit Begaj do t’i prezantohet trashëgimia kulturore dhe objektet me rëndësi të veçantë fetare, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të qytetit.
Krahas bilbordeve vizita e Presidentit Begaj, po paralajmërohet edhe nëpër rrjetet sociale.
“Mirë se vjen në Tetovë, President i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj
Të shtunën, Tetova ka nderin të mirëpresë Presidentin e Shqipërisë. Kjo vizitë është një moment i veçantë për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve në rajon!” – ka shkruar në Facebook, Kryetari I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Por, jo vetëm kaq!
Më 28 shkurt, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Universiteti i Tetovës.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takim me drejtuesit e universitetit, stafin akademik dhe studentët, ku do të diskutohet mbi bashkëpunimin arsimor, shkencor dhe kulturor ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut – thuhet në një njoftim nga UT-ja.
Në kuadër të vizitës, presidenti shqiptar do të qëndrojë edhe në disa komuna me shumicë shqiptare. Ai do të vizitojë Komunën e Çashkës, Gostivarin, ndërsa vizitën do ta përmbyllë me një ndalesë në Komunën e Dibrës.
