Sot në Tetovë filloi ngjarja dyditore Global Digital City 2026, e dedikuar zhvillimit të sektorëve si Business Process Outsourcing, dhe Information and Communication Technology apo aftësive digjitale, inovacionit dhe punësimit të të rinjve. Ngjarja bashkoi institucionet, liderët e industrisë, kompanitë ndërkombëtare, komunitetin akademik si dhe profesionistët e rinj nga rajoni. Si nikoqir I këtij eventi fjalë rasti pati edhe Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili tha se ndihet i privilegjuar të ketë Global Digital City-n në Tetovë. Kasami tha se qyteti i Tetovës ka shumë potencial the talentë që mund të përfitojnë nga këto programe.
Programi ka fokus të veçantë në mundësitë e punësimit dhe zhvillimin e aftësive për studentët dhe të rinjtë. Në përmbyllje, organizatorët theksuan se Global Digital City 2026 nuk është vetëm një ngjarje dyditore, por një platformë që synon të krijojë ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve, sektorit privat dhe të rinjve. Përmes paneleve, trajnimeve dhe rrjetëzimit me kompani vendore e ndërkombëtare, pjesëmarrësit kanë mundësi konkrete të informohen për trendet më të reja për kërkesat reale të tregut të punës.
Ngjarja pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e aftësive profesionale të studentëve dhe të rinjve, duke i përgatitur ata për sfidat e ekonomisë digjitale dhe duke rritur mundësitë për punësim brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, theksi u vu në rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor dhe në krijimin e kushteve që talentët e rinj të zhvillohen në vendlindjen e tyre.
Me organizime të tilla, Tetova synon të pozicionohet si një qendër rajonale e inovacionit dhe teknologjisë, duke dëshmuar se ka kapacitet dhe potencial për të qenë pjesë aktive e transformimit digjital në rajon.
