Zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndëretnike, Ivan Stoilkoviq, është vënë sërish në qendër të kritikave pasi ka suspenduar shtatë administratorë shqiptarë vetëm disa orë pasi ata u rikthyen në punë me vendim të Agjencia për Administratë, përcjell Koha.mk.
Komisioni i shkallës së dytë i kësaj agjencie kishte konstatuar se largimi i tyre nga puna ishte i padrejtë dhe kishte urdhëruar rikthimin e tyre në vendet e punës. Megjithatë, sipas burimeve brenda ministrisë, në të njëjtën ditë kur administratorët u paraqitën në punë, atyre u është komunikuar vendimi për suspendim deri në një vendim të ri të Komisionit disiplinor të brendshëm.
Komisioni disiplinor përbëhet nga shtatë anëtarë – katër serbë dhe tre shqiptarë, ku njëri prej shqiptarëve është pjesë e kabinetit të ministrit. Punonjës në ministri thonë se kjo përbërje ngre dyshime për paanshmërinë e vendimmarrjes.
Fillimisht, administratorët ishin akuzuar se kishin sjellë dyshekë në zyrë, ndërsa në vendimin e ri disiplinor akuzohen për dëmtim të karrigeve dhe shndërrimin e tyre në divan për fjetje.
Administratorët shqiptarë e cilësojnë rastin si presion dhe diskriminim sistematik. Ata thonë se kushtet e punës në zyrat e ministrisë janë të papërshtatshme, me dhjetëra punonjës të vendosur në hapësira të vogla, pa karrige, kompjuterë apo detyra konkrete pune.
Vendimi fillestar për largimin e tyre ishte marrë më 25 dhjetor, ndërsa më 30 janar Komisioni i shkallës së dytë konstatoi se nuk kishte shkelje nga ana e administratorëve dhe se procedurat ligjore nuk ishin respektuar. Megjithatë, suspendimi i ri ka rikthyer çështjen në një përballje të re institucionale dhe politike.(INA)
