Në hapësirat e Komunës së Zhelinës është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, ku kryetarët e komunave të këtij rajoni kanë diskutuar dhe miratuar pikat kyçe për vitin 2026.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Plani Financiar për vitin 2026, si dhe janë diskutuar propozim-projektet me të cilat Rajoni i Pollogut do të aplikojë për fonde dhe mbështetje institucionale.
Gjithashtu, janë trajtuar edhe çështje të tjera me rëndësi strategjike, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të balancuar të rajonit.
Sipas parimit të rotacionit, nga sonte drejtimin e Rajonit Planor të Pollogut për vitin 2026 e merr Komuna e Zhelinës. Me këtë rast, Blerim Sejdiu është përzgjedhur Kryetar i Rajonit të Pollogut për një mandat njëvjeçar.
Sejdiu theksoi se ky është një besim dhe përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojë me përkushtim të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komunat e rajonit, me synim realizimin e projekteve konkrete dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Rajoni i Pollogut pritet të vazhdojë me realizimin e projekteve në vazhdim dhe me hartimin e iniciativave të reja zhvillimore, në funksion të ndërtimit të një Pollogu më të zhvilluar dhe me perspektivë më të qartë ekonomike dhe infrastrukturore.
