Nesër me fillim në orën 14:00 në të gjitha terrenet e ligës së dytë të futbollit në Maqedoni zhvillohen ndeshjet e javës së 17-të të kampionatit 2025/2026. Derbi i kësaj jave zhvillohet në Ohër ku përballen dy ekipet që kryesojnë renditjen Ohri – Shkëndija e Haraçinës.
Në Ohër përballen dy ekipet që kryesojnë Ligën e Dytë të Futbollit vendor Ohri dhe Shkëndija e Haraçinës, ndeshje kjo e cilësuar si derbi i kampionatit, pasi në renditjen tabelore Ohri kryeson me 39 pikë kurse Shkëndija e Haraçinës ka 38.
Dy skuadrat vijnë pas fitoreve në ndeshjet e Kupës së Maqedonisë së Veriut. Dy skuadrat mposhtën ekipe të Ligës së Parë, Ohri mposhti Vardarin ndërsa Shkëndija Rabotniçkin.
Duke marrë parasysh rëndësinë e ndeshjes, duket se po ndërmerren aktivitete që nuk kanë lidhje me futbollin dhe rivalitetin në terren.
Përmes një njoftimi nëpër rrjetet sociale, Klubi nga Ohri, ka njoftuar se gjithë tifozët me letërnjoftim të Ohrit mund të futen në stadium falas, ndërsa mysafirët nga Haraçina dhe Shkupi do të duhet të paguajnë biletë hyrëse prej 300 denarëve.
Ky veprim josportiv i nikoqirëve nga Ohri na rikujton ngjarjet e futbollit të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar kur e njëjta metodë aplikohej edhe për Shkëndinë e Tetovës kur zhvillonte ndeshje si mysafirë.
