Site icon Tetova Expres

SHQIPËRI: KRYEMINISTRI RAMA BËN SHTATË NDRYSHIME NË QEVERI!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë disa ndryshime të mëdha në kabinetin e tij qeverisës, duke shkarkuar shtatë ministra, përfshirë zëvendëskryeministren dhe ministres e Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetime për korrupsion. Në mesin e të shkarkuarve është edhe ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali.

Pa u mbushur 6 muaj në detyrë, kabineti “Rama 4” pëson ndryshime thelbësore.

Në fund të mbledhjes maratonë mes anëtarëve të kabinetit dhe grupit parlamentar, kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, ka lajmëruar 7 ndryshime në qeveri që prekin sektorët kyç.

Pas tre dorëheqjeve të refuzuara, kryeministri ka vendosur të zëvendësojë Belinda Ballukun.

Postin e saj si zv.kryeministre do ta zërë Albana Koçiu, e cila do të lërë në këtë mënyrë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ndërsa vakancën e krijuar nga largimi i Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do ta plotësojë Enea Karakaçi.

Advertisement

Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, do të rikthehet në parlament vetëm si deputete e qarkut të Tiranës, ndërsa diplomacia do t’i besohet ambasadorit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha.

Albana Koçiu do të zëvendësohet tek Punët e Brendshme nga Besfort Lamallari.

Vetë Lamallari ia lë postin e ministrit të Drejtësisë Toni Gogut, që e liron vendin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin për deputeten e qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili.

Nga qeveria ikën me vendim të kryeministrit edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Vendin e tij do ta zërë Ermal Nufi, një emër i panjohur për publikun.

Ndryshimet në qeveri pritet që fillimisht t’i kalojnë Presidentit të Republikës për dekretim dhe më pas votimit në parlament. Me betimin para kreut të shtetit, ata marrin detyrën e re.

Advertisement
Exit mobile version