Në prag të gjysmëfinales së play off-t për kualifikim në Botërorin 2026 kundër Sllovakisë në Bratislavë, përfaqësuesja e Kosovës në drejtimin e seleksionuesit Franko Foda ka nisur përgatitjet intensive
Përfaqësuesja e Kosovës ka nisur sot përgatitjet për ndeshjet e “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, duke e përqendruar të gjithë vëmendjen te përballja gjysmëfinale kundër Sllovakisë, pasi vetëm me fitore në këtë sfidë sigurohet finalja e madhe.
Seanca e parë stërvitore e zhvilluar mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku përfaqësuesja e Kosovës u paraqitë me intensitet të lartë dhe qasje profesionale, duke dëshmuar qartë vendosmërinë për këtë sfidë me peshë të madhe.
Në stërvitjen e parë, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 19 futbollistë, ndërsa 6 futbollistët që kishin ngarkesë më të madhe nga ndeshjet e fundjavës me klubet e tyre, punuan sipas një programi të diferencuar në palestër.
Meqenëse koha për t’u përgatitur për ndeshjen në Bratislavë është shumë e shkurtë, përzgjedhësi Foda dhe stafi teknik ka hyrë menjëherë në detaje të organizimit të lojës, me theks të veçantë në aspektin taktik, në funksion të përballjes së suksesshme kundër sllovakëve.
Ndesha gjysmëfinale e play off-t për kualifikim në Botërorin 2026 Sllovaki – Kosovë luhet të enjten me fillim në ora 20:45 në Bratislavë.
