Edhe pse sipas kalendarit kemi hyrë në pranverë, dimri pritet të rikthehet shumë shpejt dhe me intensitet të lartë. Llogaritjet më të fundit të modeleve meteorologjike tregojnë një skenar dimëror që fillimisht do të godasë rajonin kurse nuk do të përjashtohet edhe vendi ynë.
Duke filluar nga 26 mars 2026 (e enjte), nga veriu drejt jugut dhe juglindjes së Evropës do të depërtojë ajër shumë i ftohtë, i pazakontë për këtë periudhë të vitit.
Kjo do të shkaktojë formimin e një sistemi të thellë ciklonik mbi Gjirin e Gjenovës, i cili më pas do të shtrijë ndikimin e tij në të gjithë Gadishulli Ballkanik, përfshirë edhe vendin tonë.
Si pasojë priten reshje të dendura shiu dhe bore, krijim i shtresës së konsiderueshme të borës, erëra të forta dhe rënie e ndjeshme e temperaturave.
Në vendin tonë, të enjten, në orët e vona të ditës dhe gjatë natës drejt së premtes (27 mars), fillimisht në zonat perëndimore dhe më pas në pjesën më të madhe të vendit do të ketë reshje shiu, herë pas here intensive dhe të rrëmbyeshme, të shoqëruara me bubullima të rralla.
Do të fryjë erë e përforcuar, herë pas here e fortë nga jugu dhe juglindja, që lokalisht mund të kalojë 60 km/orë. Në disa zona këto procese mund të marrin formë stuhish. Reshjet mund të arrijnë mbi 25 litra për metër katror.
Për shkak të rënies së temperaturave, në zonat malore dhe në lartësi mbi 1.000 metra do të ketë reshje bore, ku pritet të formohet shtresë mbi 15 cm.
Ekziston mundësia që veçanërisht në pjesët perëndimore dhe veriore të vendit, kufiri i borës të zbresë edhe nën 1.000 metra, duke sjellë reshje bore edhe në vendbanime më të larta.
