Site icon Tetova Expres

Lufta si “argëtim”! Tregtarët e naftës vënë baste miliarda dollarë para njoftimit të Trump për bisedime me Iranin

Njoftimi që bëri të hënën presidentit amerikan Donald Trump lidhur me shtyrjen e përkohshme të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, ushqeu shpresa të brishta në mbarë botën për një përfundim diplomatik të luftës, dhe mesa duket, u ka sjellë disa personave fitime shumë të mëdha.

Vëzhguesit kanë identifikuar disa transaksione të dyshimta në bursë pak para njoftimit të Trumpit. Sipas përllogaritjeve të Financial Times, disa tregtarë kishin investuar më shumë se gjysmë miliardi dollarë amerikanë duke vënë bast për rënien e çmimit të naftës. A është e mundur që ata të kenë qenë të informuar paraprakisht?

Cilat janë shenjat e një “insider trading”?

Si “insider trading” quhen transaksione në bursë, të cilat kryhen mbi bazën e informacioneve të bredshme, pra që nuk janë bërë publike. Këto mund të jenë të dhëna financiare kompanish, apo plane politike ose rregullatore. Si në SHBA ashtu edhe në Evropë, insider trading është vepër penale. Anëtarëve të administratës së Trumpit nuk u lejohet të përdorin informacione konfidenciale për përfitime financiare. E njëjta gjë vlen edhe për të afërmit  e tij apo bizneset e lidhura me ta.

Vëzhguesit identifikuan transaksione të dyshimta në bursë pak para njoftimit të Trumpit për shtyrjen e përkohshme të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të IranitFotografi: Ashish Vaishnav/SOPA Images/IMAGO

Megjithëse mundësia që Donald Trump të tërhiqej nga kërcënimi ndaj Iranit ishte diskutuar gjerësisht në ditët para njoftimit, pa e ditur saktësisht momentin e vendimit, një bast i tillë me qindra milionë dollarë do të ishte një rrezik i madh që vështirë se do ta merrte një investitor i zakonshëm.

Christoph Kaserer, profesor për menaxhimin financiar dhe tregjet e kapitalit në Universitetin Teknik të Mynihut, shpjegon se shuma prej 580 milionë dollarësh nuk është domosdoshmërisht e pazakontë, duke pasur parasysh miliardat që qarkullojnë çdo ditë në këto tregje.

Por ai thekson se njoftimi i Trumpit u publikua në orën 7 të mëngjesit – një kohë kur tregjet janë të hapura, por relativisht të qeta – dhe pikërisht për këtë arsye rritja e menjëhershme e vëllimit të tregtimit është shumë e pazakontë dhe vështirë të shpjegohet me luhatje normale.

Advertisement

Një vlerësim të ngjashëm jep edhe Florian Heider, drejtor shkencor i Institutit Leibniz për Kërkime në Tregjet Financiare SAFE. Megjithatë, ai thekson se kjo nuk mjafton për të provuar se kemi insider trading, pasi për këtë nevojitet të dëshmohet një qëllim i qartë dhe përdorimi me dashje i informacionit konfidencial.

A ka pasur raste të ngjashme në të kaluarën?

Nuk është hera e parë që muajt e fundit vërehen transaksione të dyshimta. Një raport i publikuar nga portali investigativ amerikan ProPublica zbuloi disa raste ku zyrtarë të lartë shitën aksione pak para njoftimeve të Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore në fillim të prillit 2025.

Kur Trumpi tërhoqi më 9 prill përkohësisht këto tarifa, ai kishte shkruar pak më parë në rrjetin social Truth Social: “Kjo është një kohë e shkëlqyer për të blerë!!!”

Ndërkohë, interesat e biznesit të familjes Trump shpesh ndërthuren me vendimet qeveritare, qoftë përmes investimeve në kompani prodhuese dronësh, bashkëpunimeve me kompani kriptomonedhash apo investimeve në Lindjen e Mesme.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se ajo nuk toleron që përfaqësues të administratës të përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga informacionet e brendshme dhe çdo pretendim pa prova se përfaqësues janë përfshirë në aktivitete të tilla është i pabazë./www.dw.com/

Advertisement
Exit mobile version