Tregu i komunikimeve elektronike në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2025 pasqyron një fazë të qartë maturimi dhe transformimi, ku përdoruesit vazhdojnë të mbështeten fuqishëm në shërbimet mobile, por njëkohësisht po ndryshojnë mënyrën se si i përdorin ato. Tv Koha hulumtoi se si komunikojnë qytetarët përmes telefonit.
Sipas të dhënave më të fundit, gjatë vitit të kaluar abonentët e telefonisë celulare realizuan mesatarisht 104.05 thirrje dhe folën rreth 228 minuta në muaj. Këto shifra tregojnë se komunikimi zanor vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm, megjithëse trendet globale sugjerojnë një zhvendosje graduale drejt komunikimit përmes internetit, përfshirë aplikacionet e mesazheve dhe thirrjeve online.
Hulumtimet rreth përdorimit të telefonisë mobile përmes rrjeteve të operatorëve thonë se ka shënuar një rënie të dukshme. Por, “Rroftë WhatsAppi, e rroftë Viberi”. Qëmoti qytetarët, me avancimin teknologjik, kanë bërë zgjedhjen e tyre. Flasim me këto platforma sociale jashtë shtetit, por edhe brenda duke u bërë vegla më e përdorur e komunikimit. Mjafton të kemi vetëm internet, në rast të nevojës edhe të kyçemi në wi-Fi.
Qytetarët kanë preferencat e tyre. Pavarësisht se shumica preferojnë thirrjet mobile, duket se trend po bëhet përdorimi i aplikacioneve të ndryshme.
Thirr prej numrit apo e përdor Viberin apo Whats Appin?
-Prej numrit, ndonjëherë edhe me Viber ose Whats App.
-Numrin e përdori më tepër. Për telefonatë jashtë po me këto tjerat
-Unë jam pri-pejd dhe gati të gjitha I kanë këto oferta mujore dhe mua më vjen mirë se vetëm ua bëj një zile dhe ato më thirrin. Përndryshe e bëj javore internetin. Edhe në Maqedoni thirri me Whats App dhe harxhoj 200 den në muaj
-Kryesisht me numër. Unë jam me post-pejd dhe nuk e shfrytëzoj shumë Viberin e WhatsAppin, vec për punë e për postime.
Numri i abonentëve aktivë të telefonisë mobile në fund të vitit 2025 arriti në 1.954.643, që paraqet një rritje prej 1.82 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kjo rritje është nxitur kryesisht nga abonentët rezidencialë me kontratë (post-paid), të cilët shënuan një rritje prej 2.55 për qind.
Në përgjithësi, të dhënat tregojnë se tregu i komunikimeve në vend po kalon nga një model tradicional i bazuar në komunikimin zanor drejt një modeli gjithnjë e më digjital, ku interneti dhe shërbimet e integruara po marrin rolin dominues në jetën e përditshme të qytetarëve.
