Kuvendi themelues në maj, e më pas edhe Kongresi.
Kjo është trajektorja e parashikuar sipas së cilës koalicioni aktual i përbërë nga Lëvizja Besa, Lidhja Demokratike, Alternativa dhe ASH të shkrihen në një parti të vetme – VLEN.
Ditë më parë liderët e partive u ulën në një tavolinë të përbashkët për t`i harmonizuar qëndrimet rreth mënyrës së funksionimit të VLEN-it si një subjekt i vetëm politik. Takimi ishte i mbyllur dhe ende nuk janë publikuar detaje.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nuk deshi të prononcohej për këtë temë duke preferuar që Dita e Ekologjisë të shënohet në mënyrë dinjitoze në Komunë e Tetovës.
Ndërkohë zëdhënësi I koalicionit VLEN, Albi Qamili, për Tv Koha, tha se në takimin e fundit liderët janë dakorduar për krijimin e një grupi të punës I cili do të punojë në përafrimin e platformave të subjekteve politike dhe strukturimin e subjektit të ri politik të unifikuar.
Por, si u zhvillua kronologjia?
Pas Prekazit në konakun e Bacit Rifat, në Prishtinë tek kryeministri Albin Kurti. VLEN-i një! – ishte një postim nëpër rrjetet sociale që u shpërnda në të njëjtën kohë nga liderët e partive që përbëjnë koalicionin VLEN. Postimi daton nga aktivitetet e shënimit të Epopesë së UÇK-së në Kosovë.
Por, “mesazhet e koduara” nëpër rrjetet sociale nuk u ndalën me kaq!
Në ditën e dytë të festës së Fitër Bajramit, një nga eksponentët kryesor të koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, shkroi në Facebook mesazhe uniteti me kryefjalën “VLEN është bashkimi që nuk ndalet”.
“Nuk ka më hapësirë për interesa të ngushta, për pazare në kurriz të qytetarëve, apo për politikë që na mban të ndarë. Nga sot, zëri shqiptar do të jetë një – i fortë, i qartë dhe i pandalshëm.
Ky është momenti ynë. Ose bashkë, ose të humbur. Sepse kur shqiptarët bashkohen, askush nuk mund t’i ndalë.” – shkroi mes tjerash Izet Mexhiti.
Pas takimit të fundit të liderëve të koalicionit, thuhet se është gjithnjë e më e sigurt që partia e re do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, do të ketë dy nënkryetarë dhe një sekretar të përgjithshëm, duke reflektuar në mënyrë të drejtë përfaqësimin e partnerëve në udhëheqjen e ardhshme partiake. Si bashkëkryetarë përmenden Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike dhe Bilall Kasami nga BESA; për sekretar të përgjithshëm Bekim Sali nga Alternativa; ndërsa për pozitat e nënkryetarëve deputetja Mimoza Musa nga fraksioni i ASh-së dhe deputeti nga Vetëvendosje, Bekim Qoku.
Në rrugën drejt bashkimit mbetet për t’u diskutuar edhe përfaqësimi në përqindje i partive që përbëjnë koalicionin aktual, në organet e ardhshme partiake.
Një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur. Ka pasur mendime dhe kërkesa të ndryshme – nga ideja që secili subjekt të përfaqësohet me 20% ose 25% në organet partiake, deri te varianti që partitë kryesore të kenë nga 35%, ndërsa pjesa tjetër të shpërndahet mes partnerëve të tjerë.
Megjithatë, nga VLEN liferojnë se procesi i bashkimit nuk duhet të lërë përshtypjen se dikush është dëmtuar apo është përfaqësuar më pak në partinë e ardhshme.
Shkrirja e koalicionit në një parti të vetme pritet të përkojë me periudhën kur është paralajmëruar një rikonstruim i mundshëm i Qeverisë.
Ndryshimet brenda VLEN-it dhe disa mosmarrëveshje publike të shfaqura kohët e fundit pritet të kenë ndikim edhe në riformatimin e përbërjes qeveritare.
