Ky ishte paralajmërimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për Teheranin, gjatë mbledhjes së kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, ku këmbënguli përsëri që Irani duhet të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Trump kërcënoi se “nëse Teherani nuk ulet në tryezën e negociatave, SHBA do të vazhdojnë t’i hedhin në erë”.
Paralajmërimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhi një ditë, pasi Irani hodhi poshtë planin e paqes të SHBA-së, që thuhet se kërkonte që regjimi të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor dhe të kufizonte raketat balistike. Në mbledhjen e kabinetit, Steve Witkoff, i dërguari special i Trump, konfirmoi se SHBA-të i paraqitën Iranit një plan paqeje me 15 pika, pa dhënë detaje mbi propozimin.
“Nëse nuk e bëjnë, ne jemi makthi i tyre më i keq. Ne thjesht do të vazhdojmë t’i shkatërrojmë. Të papenguar, të pandalur”, tha Trump.
