Hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme dhe varet kryesisht nga marrëveshja ndërmjet partive politike, thotë kryetari i Kuvendit, Afrim Gaşi. Pyetja për kryeparlamentarin u bë në kontekst të iniciativës së Gjykatës Kushtetuese për futjen e institutit të padisë kushtetuese, temë kjo që u diskutua javën e kaluar në një tryezë të rrumbullakët në ambientet e Gjykatës.
Pa dhënë komente të mëtejshme, Gaşi tha se ia lë vendimin partive politike se kur është e nevojshme të bëhet kjo dhe mbi çfarë çështjesh.
“Hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme dhe mbi të gjitha punë që kërkon marrëveshje ndërmjet partive politike, dhe ju e dini se në Kuvend nevojitet dy e treta e deputetëve që të bien dakord për hapjen e Kushtetutës. Unë nuk do të komentoj më shumë dhe do ta lë këtë vendim partive politike për të vendosur se kur dhe mbi çfarë çështjesh duhet të veprohet”
Gashi sot u pyet edhe për qëndrimin e tij mbi një çështje tjetër që lidhet me Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, e konkretisht për futjen e votimit me shumicë të ashtuquajturën “Badenter”.
Sipas Kryetarit të Kuvendit, kjo çështje nuk duhet të jetë tabu dhe mbi të duhet të diskutohet nga dy perspektiva – njëra politike dhe tjetra profesionale.
Ndryshe, ndryshimet kushtetuese përmenden më së shpeshti në kontekst të modifikimeve për përfshirjen e Bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës, një kusht ky që vendi duhet ta përmbushë për të nisur negociatat me Bashkimin Evropian (BE) mbi kapitujt dhe klasifikimet e anëtarësimit.
