Site icon Tetova Expres

Jeton Shaqiri: Alarmet për bomba në shkollat e Tetovës një situatë që kërkon reagim serioz

Pyetja që shtrohet sot është e drejtpërdrejtë: pse kjo situatë po përsëritet pikërisht në Tetovë dhe pse po lejohet të zgjasë kaq shumë pa një reagim të qartë institucional?

Në të kaluarën, kur janë paraqitur raste të tilla në nivel vendi, tema ka qenë prezente në media dhe ka pasur presion për të marrë masa sa më urgjente. Sot, për fat të keq, kjo nuk po vërehet në të njëjtin nivel. Situata rrezikon të trajtohet si diçka e zakonshme, gjë që nuk duhet të ndodhë.

Ajo që po lihet në hije është dëmi që po u shkaktohet nxënësve. Çdo ditë e humbur mësimi është një hap pas në zhvillimin e tyre arsimor. Deri tani, shumë pak është folur për këtë aspekt thelbësor:
• A ka Ministria e Arsimit dhe Shkencës një plan konkret për kompensimin e orëve të humbura?
Kjo çështje bëhet edhe më kritike kur flasim për maturantët.

Ata janë në një fazë vendimtare të përgatitjes së tyre akademike. Në një kohë kur u kanë mbetur më pak se dy muaj mësim, ata po përballen me ndërprerje të vazhdueshme. Kjo i vendos në një pozitë të pabarabartë krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në qytete të tjera, sidomos kur afrohet provimi i maturës shtetërore.

Ku dhe si do të përgatiten këta nxënës?
Kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë pabarazi?

Advertisement

Siguria në shkolla dhe cilësia e arsimit nuk mund të jenë çështje që shtyhen apo relativizohen. Kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm, transparencë dhe një plan të qartë veprimi.

Dhe kjo nuk duhet parë si çështje politike, por si një këshillë dhe thirrje në të mirë të fëmijëve tanë.

Sepse në fund të ditës, nuk bëhet fjalë vetëm për alarme bëhet fjalë për të ardhmen e tyre.

Exit mobile version