Site icon Tetova Expres

Mbi 50% e vauçerëve për kondicionerë inverter tashmë janë tërhequr – zbatim efikas i masës për konsumatorët e cenueshëm

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon opinionin publik se procesi i tërheqjes së vauçerëve për blerjen dhe instalimin e kondicionerëve  inverter po zhvillohet pa pengesa dhe me dinamikë të përforcuar në terren.

Nga gjithsej 4.070 vauçerë të ndarë, në periudhën nga 18 mars deri më 25 mars janë tërhequr tashmë 2.084, që përfaqëson më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm.

Sipas të dhënave të marra nga qendrat ndërkomunale për punë sociale, deri më 25 mars 2026 në ora 18:00, gjithsej janë tërhequr 2.084 vauçerë,ndërsa dinamika ditore tregon interes të vazhdueshëm dhe aktivitet të shtuar të qytetarëve në të gjitha komunat në vend. Këto të dhëna konfirmojnë se procesi po realizohet në mënyrë efikase, pa ndërprerje dhe në përputhje me dinamikën e paraparë.

Ministria rikujton se lista e qytetarëve që kanë përfituar të drejtën për këtë mbështetje, si dhe lista e kompanive nga të cilat mund të blihen pajisjet, janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë:

https://energy.gov.mk/mk-MK/odnosi-so-javnost/rezultati-i-spisoci

Advertisement

Qytetarët që ndodhen në listë mund t’i tërheqin vauçerët në qendrat ndërkomunale për punë sociale në komunën ku jetojnë, deri më 17 prill 2026, ndërsa në faqen e internetit janë të disponueshme të gjitha informacionet për dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurën.

Pas tërheqjes, vauçerët mund të përdoren te kompanitë me të cilat Ministria ka lidhur kontrata, për blerjen dhe instalimin e kondicionerit inverter.

Bëhet fjalë për fazën përfundimtare të procedurës sipas Thirrjes Publike për vitin 2025, në kuadër të Programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë, ku të drejtë për mbështetje kishin amvisëritë që i plotësuan kushtet e parashikuara.

Me vauçerin, qytetarët fitojnë mundësinë për blerjen dhe instalimin e një kondicioneri inverter me fuqi 3,5 kW dhe të paktën klasë energjetike A+, me vlerë deri në 28.000 denarë, pa pagesë shtesë. Vauçerët mund të shfrytëzohen më së voni deri më 15 tetor 2026.

Ministria vazhdon me realizimin intensiv të masave për mbështetjen e kategorive të cenueshme të qytetarëve, me qëllim uljen e kostove të energjisë dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik në amvisëri.

Advertisement

 

Exit mobile version