Site icon Tetova Expres

Mickoski: Gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në gjithë territorin, ndërsa Ligji për përfaqësim të drejtë ka kaluar të gjitha filtrat, përfshirë edhe Komisionin e Venecias

Kryeministri, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve theksoi se Ligji për përfaqësim të drejtë, pasi kaloi të gjitha filtrat dhe mori rekomandim nga Komisioni i Venecias, shumë shpejt do të gjendet në Kuvend. Në lidhje me vërejtjet për përdorimin e gjuhëve, ai nënvizoi se askush nuk është kundër përdorimit të ndonjë gjuhe tjetër, por kujtoi se sipas Kushtetutës, gjuha zyrtare në të gjithë territorin e vendit është gjuha maqedonase me alfabetin e saj cirilik.

“Ligjin për përfaqësim të drejtë pres ta sjellim së shpejti para deputetëve, pasi ka kaluar të gjitha filtrat, përfshirë edhe atë të Komisionit të Venecias. Me rekomandimet e Komisionit të Venecias, ai do të miratohet në Parlament, do të kalojë në Qeveri dhe shpresoj që do ta mbështesni. Por është kushtetues, e jo jokushtetues siç ju dhe koalicioni që i përkisni i keni mashtruar shqiptarët në Maqedoni për më shumë se 20 vjet. Ky është ndryshimi mes kësaj qeverie dhe këtij koalicioni dhe koalicionit që ju mbështesni”, deklaroi kryeministri Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Skender Rexhepi.

Në lidhje me përdorimin dhe njohjen e gjuhëve, kryeministri Mickoski theksoi se gjuha maqedonase sipas Kushtetutës është gjuhë zyrtare në gjithë territorin dhe i vuri në dukje deputetit Rexhepi se, siç shihet, nuk i duhen kufje me përkthim për ta kuptuar, por nëse i përdor, aty ka përkthim edhe në shqip.

“Asnjë gjuhë e botës nuk më pengon dhe nuk do të më pengojë. Nuk e di pse shqetësoheni, por sipas Kushtetutës gjuha zyrtare në të gjithë territorin është gjuha maqedonase me alfabetin cirilik. Ka aty plotësime në nenin vijues, më tej plotësime për njësitë e vetëqeverisjes lokale ku mbi 20% kanë komunitete etnike që e përdorin gjuhën e tyre, ka komunitet turk, serb, boshnjak, mua nuk më pengon, përdorni lirisht gjuhën shqipe, madje përpiqem edhe ta mësoj dhe ta zotëroj. Sa më shumë gjuhë të di, aq më i pasur jam”, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski u ndal edhe te ngjarja në Tetovë, duke theksuar se një sjellje e tillë nga gazetari ndaj ministres së arsimit është e papranueshme pavarësisht nëse bëhet në gjuhën maqedonase apo shqipe.

Advertisement

“Absolutisht askush nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe, nëse doni mund të flisni edhe anglisht, gjermanisht apo frëngjisht. Askush nuk është kundër, por duhet të dihet se gjuha zyrtare në këtë shtet është gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe për përdorim ndërkombëtar është gjithashtu gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe kjo është sipas Kushtetutës”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Exit mobile version