Site icon Tetova Expres

Mickoski: Nuk do të qetësohem derisa të marr përgjigje si Katica nga burgu i ringjalli lëndët e PSP-së

Kryeministri Hristijan Mickoski nga seanca e pyetjeve parlamentare i bëri thirrje prokurorit të ri publik, Nenad Saveski, që t’i nxjerrë të gjitha lëndët që gjatë viteve të fundit janë mbajtur në sirtar dhe të bëjë analizë për të parë nëse ka dyshime të bazuara për krim të organizuar. Ai pret përgjigje edhe për lëndë nga koha e Prokurorisë Speciale Publike, duke përmendur sërish rastin me “Bonuset e PSP-së”.

“Nga raportet e Entit Shtetëror të Revizionit mund të konkludojmë se në ato institucione është kryer krim, pse kjo nuk është hetuar nuk e di, por shpresoj që prokurori i ri publik do të bëjë analizë të detajuar. Personalisht pres edhe dy çështje që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit. Nëse nuk e zbulojmë të vërtetën për këto dy çështje, do të vazhdojmë të jetojmë në iluzion.

Së pari, si në mënyrë ‘magjike’ e burgosura Katica Janeva i ka dorëzuar lëndët në praktikën gjyqësore ndërsa ka qenë në burg. Nuk do të qetësohem derisa të marr përgjigje se si Katica i ringjalli këto lëndë. Nëse duam shtet juridik duhet të dimë sipas cilit ligj dhe si Katica nga burgu i ka aktualizuar këto lëndë, së bashku me prokurorin e atëhershëm publik.

Së dyti, si u gjykua një grup njerëzish për terrorizëm dhe mbi çfarë provash? Si janë nxjerrë deklarata nga dëshmitarët e mbrojtur? Dhe së treti, për çfarë shumash bëhet fjalë për bonuset e prokurorëve të PSP-së dhe pse kanë frikë që ky rast të hyjë në fazë hetimi – nëse janë të pafajshëm, nuk kanë pse të frikësohen.

Në emër të së vërtetës dhe sundimit të ligjit, publiku duhet ta dijë të vërtetën. Gjithçka tjetër është luftë ditore kundër krimit dhe korrupsionit. Pres që prokurori i ri publik të dalë me informacion të qartë për opinionin – pra, ditën atë dhe atë, kjo ka ndodhur. Nëse nuk e bën këtë, do të vazhdojmë të jetojmë në një shtet ku një grup do të jetë i privilegjuar, ndërsa të tjerët do të jetojnë në dëshpërim se drejtësia nuk vlen për të gjithë.

Advertisement

I bëj thirrje publike që pa marrë parasysh për kë ka dyshime për krim, qoftë edhe anëtar i Qeverisë, të hapë hetim dhe ta çojë deri në fund. Nuk guxon të ketë të privilegjuar”, deklaroi Mickoski.

Exit mobile version