Site icon Tetova Expres

NAFTA MË E LIRË, QYTETARËT E SHQIPËRISË DREJT MAQEDONISË SË VERIUT!

Çmimi i lartë i naftës dhe benzinës në Shqipëri po shtyn gjithnjë e më shumë qytetarët e zonave të juglindjes që t’i drejtohen pikave të furnizimit në Maqedoninë e Veriut, me qëllim uljen e kostove financiare për blerjen e karburanteve.

Ditët e fundit, në pikën kufitare të Qafë Thanës është vërejtur një rritje e ndjeshme e fluksit të automjeteve që udhëtojnë drejt Strugës dhe Ohrit.

Në pikat e karburantit në Maqedoninë e Veriut, nafta tregtohet deri në 1.4 euro për litër, çka e bën dukshëm më të leverdishme, rreth 60 lekë më pak për litër në krahasim me atë që tregtohet në Shqipëri.

“Po ta llogarisësh, kursen më shumë në krahasim me Shqipërinë”, tha një qytetar.

“Njëherë në muaj vij. Më ulët është këtej, ia vlen”, u shpreh një tjetër.

Advertisement

Ndërkohë, interesi i shtuar i qytetarëve shqiptarë për t’u furnizuar përtej kufirit konfirmohet edhe nga banorët e Maqedonisë së Veriut.

“Vijnë furnizohen në Strugë me naftë”, shprehet një qytetar nga Maqedonia e Veriut.

“Çdo ditë shohim makina me targa të Shqipërisë që vijnë te ne dhe furnizohen”, shton një tjetër.

Në kushtet e diferencave të ndjeshme të çmimeve, ky trend pritet të vijojë, duke përfshirë jo vetëm blerjen e karburanteve, por edhe produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut.

Advertisement
Exit mobile version