Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme për pyetje të deputetëve theksoi se buxheti për shëndetësinë është afërsisht 1 miliard euro, si dhe se këtë vit pagat e punonjësve shëndetësorë do të rriten, si dhe se do të vazhdojnë investimet në sektorin e shëndetësisë, sidomos në infrastrukturë, megjithëse gjendjen të cilën e trashëgoi shëndetësia si pasojë e të kaluarës dhe politikat e ashtu quajtura “Stabri” në shëndetësi, ishte katastrofike.
“Shëndetësia paraqet një sfidë serioze për këtë qeveri për shumë arsye, sepse trashëguam një gjendje katastrofike dhe kataklizmike për shkak të politikave tmerrësisht të këqija e kriminale të së kaluarës, të ashtuquajturat politika shëndetësore ‘Stabri’. Në kulmin e pandemisë së koronës, kur ishim më së keqi dhe në fund përfunduam ndër më të dobëtit në ballafaqimin me atë pandemi, ata që udhëhiqnin atë sektor dhe atë politikë, në vend që të kujdeseshin për shëndetin e qytetarëve dhe të siguronin medikamentet e materialet e nevojshme për të shpëtuar sa më shumë bashkëqytetarë tanë, ata vendosën të lidhnin kontrata për furnizime emergjente të vaksinave nga një kompani e regjistruar në Hong Kong, veprimtaria kryesore e së cilës deri në atë moment ishte tregtia me fruta jugore,” deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski sqaroi se ajo politikë shëndetësore ‘Stabri’ funksionoi në kushtet e krizës epike dhe më të madhe shëndetësore në shtet, duke lënë probleme jashtëzakonisht të mëdha që i kanë nënshkruar, të cilat paraqesin një barrë shtesë, veçanërisht për klinikat në Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’.
“Personalisht, së bashku me ministrin e Shëndetësisë dhe drejtorin e Fondit, po punojmë në zgjidhjen e problemeve që nuk janë të tanishme, por që kanë mbetur aty prej dekadash. E di sa shumë punojnë ministri dhe drejtori dhe fokusi im personal është te shëndetësia dhe politikat shëndetësore, jam i bindur se një pjesë e madhe e këtyre problemeve po zgjidhen, një pjesë do të zgjidhen së shpejti, ndërsa disa tashmë janë zgjidhur, por e rëndësishme është që nuk kemi probleme të reja. Vit pas viti, buxheti për shëndetësinë rritet, këtë vit jemi afërsisht te 1 miliard euro. Në atë buxhet natyrisht është llogaritur edhe rritja e pagave për punonjësit shëndetësorë, një nga marrëveshjet e para që nënshkruam si qeveri, përveç asaj në arsim, ishte pikërisht ajo në shëndetësi edhe këtë vit, në prill, ajo shifër duhet të rritet midis 5 dhe 7 për qind, po analizohen mjetet e disponueshme, të gjithë jemi më shumë për kufirin e sipërm, por duhet t’i shohim mjetet aktualisht të disponueshme për rritjen e pagave të punonjësve shëndetësorë dhe ajo marrëveshje është e vlefshme deri në vitin 2028,” potencoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski thotë se investimet në shëndetësi nuk do të ndalen, pavarësisht krizës së madhe energjetike botërore dhe faktit që duhet të sigurohen dhe të kthehen nga buxheti 2.5 miliardë euro si borxhe të vjetra nga e kaluara. Njëkohësisht, ai vuri në dukje keqpërdorimet nga individë në shëndetësi, ku ka persona që nënshkruajnë kujdestari dhe arrijnë të kenë të ardhura mujore deri në 10,000 euro, duke paraqitur se punojnë 24 orë në ditë, 31 ditë në muaj, madje edhe në muajt që kanë 30 ditë.
“Kemi rritur kapitacionin për mjekët e përgjithshëm, përkatësisht për mjekët amë, i cili nuk ishte rritur prej vitesh, e rritëm kapitacionin edhe për gjinekologët dhe stomatologët, njëkohësisht, përfshimë barna të reja në listën pozitive dhe nisëm procesin me të cilin do të investojmë drejtpërdrejt në infrastrukturë, që do të thotë përfundimi i Qendrës Klinike në Shtip së bashku me konviktin e studentëve dhe ndërtesën e re për Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit ‘Goce Dellçev’, spitalin në Kërçovë, Spitalin Klinik në Tetovë dhe kur të gjitha këto të përfundojnë me sukses, meqenëse procesi i kërkimit të një institucioni financiar po vazhdon, hapi i radhës është t’i futemi procesit për Qendrën Klinike në Shkup.”
