Parku Nacional i Mavrovës, me florën dhe faunën e tij të pasur, si dhe me terrenet dhe resurset ujore që posedon, renditet ndër parqet më të bukura në Ballkan. Drejtoria e parkut realizon vazhdimisht projekte në funksion të promovimit të tij, duke shfrytëzuar potencialet natyrore që ofron. Një nga zhvillimet më të rëndësishme është vendimi për organizimin e garave botërore në peshkim sportiv, që paraqet një mundësi të shkëlqyer për të sjellë në Liqenin e Mavrovës peshkatarët më të mirë sportivë nga e gjithë bota.
Në një takim me gazetarët, i mbajtur në Drejtorinë e Parkut Nacional në Mavrovë, u bë e ditur se është miratuar vendimi që nga 2 deri më 5 shtator 2026, në ujërat e liqenit të Mavrovës të mbahet kampionati botëror në peshkim sportiv për kapjen e krapit.
Në konferencën për shtyp, drejtori i parkut Haris Ibraimi, kryetari i komunës Mavrovë-Rostushë Oner Jakupovski, si dhe kryetari i Federatës së Peshkatarëve Sportivë të Maqedonisë së Veriut Filip Serafinoviq, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum garanton angazhimin e përbashkët për organizimin e një kampionati në nivel të lartë, ku pritet të marrin pjesë garuesit më të mirë në botë. Kjo ngjarje e rëndësishme me përmasa ndërkombëtare përbën një njohje të madhe për Parkun Nacional të Mavrovës dhe për vetë vendin, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi të madhe për institucionet përkatëse.
Në kumtesën e përbashkët u theksua se do të punohet në mënyrë të koordinuar për përmbushjen e të gjitha standardeve ndërkombëtare. Parku Nacional do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme për të siguruar që garat të zhvillohen në nivel profesional. Pritet që ky kampionat botëror të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e turizmit, ekonomisë lokale dhe në promovimin ndërkombëtar të Mavrovës dhe të Maqedonisë së Veriut si destinacion i rëndësishëm për sportin e peshkimit dhe ekologjinë.
Peshkimi sportiv në Liqenin e Mavrovës, lumin Radikë dhe në përroskat e parkut tashmë ka përmasa të gjera. Peshkatarë nga vendi, por edhe nga Shqipëria dhe Kosova, e vizitojnë rregullisht këtë zonë. Ky aktivitet po merr gjithnjë e më shumë karakter rajonal, duke përfshirë edhe Liqenin e Dibrës, i cili tërheq vizitorë të shumtë çdo javë. Kampionati botëror pritet ta ngrejë peshkimin sportiv në një nivel edhe më të lartë dhe ta vendosë rajonin në hartën ndërkombëtare të këtij sporti. (koha.mk)
