Maqedonia për momentin nuk është cak i drejtpërdrejtë i sulmeve kibernetike nga Irani, ashtu siç po ndodh me Shqipërinë, por shteti dhe institucionet e tij, në kushte të digjitalizimit të përshpejtuar, duhet të jenë shumë më të kujdesshme, thonë ekspertët.
“Shqipëria është target për qëllime politike dhe për pranimin e një pjese të opozitës që është kundër regjimit në Iran. Maqedonia nuk ka, për momentin, të tilla grupacione dhe nuk është në linjën e drejtpërdrejtë të sulmeve ose target i Iranit, i hakerëve iranianë”, deklaroi Metodi Haxhi Janev, Ekspert i sigurisë kibernetike.
Përfaqësues nga Shqipëria Blendi Klosi, shef i delegacionit të Shqipërisë në AP të OSBE thotë se bëhet fjalë për sulme që vijnë nga grupe të caktuara lobuese në Iran.
Autoritetet e Maqedonisë sigurojnë se institucionet shtetërore për momentin janë të sigurta.
“Absolutisht deri tani nuk kemi asnjë informacion të sigurisë që institucionet tona, shteti, Kuvendi janë target i ndonjë sulmi, por kjo vlen deri sot, nuk e dimë nesër se si do të jetë. Prandaj duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodhë”, theksoi Afrim Gashi – kryetar i Kuvendit.
“Në të kaluarën u sulmua sistemi i Fondit të Shëndetësisë dhe atë ditë u shkaktua kolaps. Jemi dëshmitarë të sulmeve edhe në Ministrinë e Bujqësisë. Nuk mund të lejojmë të punojmë në mënyrë naive dhe shteti duhet të jetë i përgatitur”, tha Monika Zajkova – shefe e Delegacionit të Maqedonisë në AP të OSBE.
Në Ohër po mbahet forumi i pestë ndërparlamentar i Evropës Juglindore i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Sipas pjesëmarrësve, forumi vjen në një moment shumë të rëndësishëm për ndërgjegjësimin dhe rritjen e sigurisë nga kërcënimet kibernetike. / Alsat.mk.
